Telegrafi

‘Shkollat e Shekullit 21’ organizojnë garën kombëtare të kodimit

Qeveria e Mbretërisë së bashkuar vazhdon investimin në Kosovë për 694 shkolla dhe y2894 mësimdhënës përmes programit Shkollat e Shekullit 21.

Dje janë mbajtur garat kombëtare për kodim organizuar nga British Council, përkatësisht programi Shkollat e shekullit 21. Në mesin e shumë shkollave në garën kombëtare të kodimit, fituese doli shkolla fillore “Faik Konica” dhe shkolla fillore “Nazim Gafurri”.

Fituesit do të marrin pjesë në garën rajonale ku do të garojnë edhe pesë shtete të Ballkanit Perëndimor. Garat rajonale do të mbahen në muajin prill në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor.

Shkollat ​​e shekullit 21 është iniciativa më e madhe e arsimit në Ballkanin Perëndimor nga e cila përfiton edhe Kosova. Programi ambicioz trevjeçar ofron mentorim të vazhdueshëm dhe resurse të vlefshme për të ndërtuar aftësitë e drejtorëve të shkollave, mësuesve dhe politikbërësve.

Të gjitha shkollat ​​fillore dhe të mesme të ulëta (nxënësit e moshës 10 deri në 15 vjeç) do të pajisen me micro:bit që do t’i ndihmojnë të rinjtë të mësojnë shkathtësi të reja digjitale dhe koduese në një mënyrë argëtuese dhe interaktive.

Aftësitë që do të zhvillohen kryesisht në mesin e nxënësve 10-15 vjeçarë janë mendimi kritik, zgjidhja e problemeve dhe shkathtësitë e kodimit. Nxënësit do të përdorin paisjen micro:bit, i cili është një mjet që synon të frymëzojë të rinjtë për të qenë kreativ me botën digjitale dhe për të zhvilluar aftësitë thelbësore në shkencë, teknologji dhe inxhinieri.

Fëmijët gjithashtu do të kenë mundësi të mësojnë HTML, CSS dhe Python duke bërë lojëra, animacione dhe faqet e internetit në klubet e kodimit pas shkollës.

Si rezultat i ketij mentorimi, në Kosovë gjithsejt do të përfitojnë 694 shkolla dhe do të trajnohen 2894 mësimdhënës si përfitues të programit. Në ciklin e parë të programit , në vendin tonë do të përfitojnë 127 shkolla.

Nga këto shkolla do të trajnohen 632 mësimdhënës dhe 127 drejtorë të shkollave. British Council është një organizatë britanike e specializuar në mundësitë ndërkombëtare kulturore dhe arsimore.

Çdo vit British Council punon me miliona njerëz duke i lidhur ata me Mbretërinë e Bashkuar dhe asetet më atraktive të MB-së.

Anglishtja, artet, arsimi dhe mënyra e jetesës dhe organizimi i shoqërisë.  

Për më shumë informata rreth programit: https://kosovo.britishcouncil.org/programmes/education/21st-century-schools /Telegrafi/