Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Shaban Jashari” në Skenderaj ka kremtuar 90 vjetorin e themelimit të saj.
Kjo shkollë më këtë rast ka organizuar një sërë aktivitetesh promovuese dhe kulturore në shënim të kësaj dite.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin nënkryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, përfaqësuesi i Familjes Jashari Rifat Jashari, si dhe mësimdhënës, prindër, nxënës dhe ish-mësimdhënës të shkollës.
Në hapje të ceremonisë së shkollës, drejtori, Rushit Jeta foli për punën e suksesshme të mësimdhënësve dhe stafit drejtues në avancimin e dijes në shkollë, duke përmendur rezultatet dhe të arriturat ndër vite.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Skenderajt Bekim Latifi, i uroi të pranishmit me rastin e ditës së shkollës, duke i përgëzuar për punën dhe sukseset e arritura.
Ai shprehu përkrahjen e institucioneve lokale në drejtim të avancimit të mëtutjeshëm të punës në shkollat e Skenderajt.
Më pas para të pranishmëve u shfaq një video-dokumentar i përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës “Shaban Jashari”, në të cilin u paraqit historiku i shkollës që nga themelimi i saj, kontributi i Shaban Jasharit si njëri ndër mësuesit e parë të saj, si dhe të arriturat e nxënësve në fusha specifike të dijes, duke pasqyruar edhe suksesin e nxënësve në garat komunale dhe republikane.
Për nxënësit më të dalluar, drejtoria e shkollës ndau mirënjohje, ndërsa të pranishmit u argëtuan me një program të pasur artistik interpretuar nga nënës të talentuar në fushën e muzikës.
Shkolla “Shaban Jashari” e Skenderajt, numëron mbi 1 mijë nxënës dhe dallohet për suksese.
Shkolla “Shaban Jashari” është themeluar në vitin 1926. Mësuesit e parë të saj ishin: Rasim Kaloshi, Shaban Jashari, Meleqe Raqa dhe Nezafete Pula. /Telegrafi/