Telegrafi

Shkolla organizon ceremoni të veçantë diplomimi, për studentin që ishte në koma (Video)

Një shkollë e mesme në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, ka organizuar një ceremoni të dytë diplomimi, për nderë të një studenti i cili kishte munguar sepse kishte qenë në koma.

Scott Dunn ishte përfshirë në një aksident komunikacioni, dhe për pasojë kishte humbur ndjenjat shkaku i lëndimeve të shumta, transmeton Telegrafi.

Pasi gjendja tij është stabilizuar dhe është këndellur, ai është mërzitur shumë kur ka kuptuar se e ka humbur ceremoninë e diplomimit.

Për këtë arsye, zyrtarët e shkollës e kanë kontaktuar familjen Dunn, për të krijuar diçka të veçantë për Scottin.

Për të nderuar atë janë mbledhur të gjithë shokët e klasës, disa prej tyre edhe me veshjen tradicionale, dhe pas fjalimeve të profesorëve atij i është dorëzuar diploma.

Më pas si në çdo ceremoni tjetër, është bërë edhe hedhja e kapelave.

“Nuk di si t’i falënderoj, ky është një nder shumë i madh për mua”, ka thënë Scott, i cili ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë studimet apo do t’i bashkohet ushtrisë. /Telegrafi/