Telegrafi

Shkolla ‘Liria’ në Tetovë në kushte mizore (Foto)

Nëna e një fëmije për Telegrafin thotë se “Ka vite e vite që në shkollën ‘Liria’ në Tetovë kushtet për mësim janë nën nivelin e duhur: Klasat e shkollës në përgjithësi jo të renovuara, parketi i dëmtuar, muret vende-vende të shkatërruara, pluhur gjithandej. Meqë tek klasat e para mësimi zhvillohet në 3 turne, nuk ka kohë të mjaftueshme për pastrim dhe ajrosje ndërmjet turneve (vetëm 5 min). Fëmijët janë të detyruar të futen në klasë, të thithin ajrin e ndotur dhe erërat e detergjenteve të ndryshme që mund të dëmtojnë rëndë shëndetin e tyre. Bankat dhe karriket janë aq të shkatërruara, të dëmtuara, të gërvishtura sa nuk mbahen mend se kur janë ndëruar herën e fundit. Në ta fëmijët mund të lëndohen dhe t’i shkatërrojnë teshat e tyre. Dërrasa e zezë në disa klasa mezi duket nga që është dëmtuar në maksimum. Janë të kalbura, shkruhet akoma me shkumës, nuk janë zëvendësuar me dërrasa të bardha. Salla sportive e shkollës e shkatërruar në tërësi, duke filluar prej te parketi, muret, dritaret, dyert. Pastërti aspak. Pa asnjë pajisje për ushtrime. Kështu siç duket nuk i ngjason aspak një salle sportive. Banjot janë në gjendje katastrofale.

Nuk kam përshkrim, ndoshta nuk është riparuar dhe investuar asnjëherë prej kur është ndërtuar. Aroma jo e këndshme nga vjetërsia por edhe mos mirëmbajtja të zë frymën edhe në korridor. Brenda fëmijët duhet të futen me maskë antigaz. Fëmijët e vegjël kanë frikë të shkojnë atje për nevojë sepse ju duket si në ndonjë film të frikshëm. Fëmijët mund të infektohen shpejtë në banjo të tilla, thotë Laura Kurtishi prind që e dërgon për çdo ditë fëmijën në shkollën fillore ‘Liria’.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Shpresa Iseini, thotë se “ne si drejtori me donacion nga ana e prindërve kemi ndëruar derët e klasave dhe me përkrahjen e projektit ‘Nansen Dialogue’ kemi renovuar disa klasa dhe ky është investimi i vetëm që kam arritur të bëjë në këtë shkollë”, thotë Iseini.

Nga sektori për veprimtari publike pranë komunës së Tetovës për Telegrafin thonë se “duke pasur parasysh se procesi arsimor në shkollën filore ‘Lira’ është duke u ndjekur në një objekt që është ndërtuar në vitin 1945 dhe është një ndër shkollat më të vjetra të Tetovës. Ne me ardhjen tonë në krye të komunës e kemi lajmëruar ministrinë e arsimit me gjendjen në këtë shkollë, ata kan dërguar ekspertë dhe kanë kryer një ekspertizë në këtë drejtim, ku edhe kanë realizuar një projekt për renovimin e tërësishëm të kësaj shkolle, me vërshimet në Tetovë dhe me motin e ligë, kjo shkollë u dëmtua edhe më shumë, ku me këtë është njoftuar edhe qeveria, e cila e ka vërtetuar edhe gjendjen faktike në këtë shkollë dhe në mbledhjen e mbajtur e ka konstatuar dhe a sjellë vendim që kjo shkollë duhet të renovohet, se kur do të ndodhë renovimi i kësaj shkolle është në varësi nga vetë ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe qeveria e Maqedonisë, por me rëndësi është se ka një projekt të gatshëm”, thotë Amet Qazimi për Telegrafin nga Sektori për veprimtari Publike, pranë komunës së Tetovës. /Telegrafi/