Telegrafi

Shkolla e restaurimit për të gjithë rajonin

Sipas një vendimi unanim të marrë në Konferencën e 5-të ministeriale për Trashëgiminë kulturore në vendet e Evropës Juglindore, e cila është zhvilluar të dielën në Bukuresht të Rumanisë, është miratuar kthimi i shkollës së restaurimit, që ndodhet në Institutin e Monumenteve të Kulturës në qendër për gjithë rajonin.

“Nga Qendër e Restaurimit që ka nisur funksionimin në sajë të ndihmës financiare dhe teknike të qeverisë italiane dhe UNESCO-s, së shpejti do të kemi një brez të rinjsh të trajnuar me teknikat bashkëkohore të restaurimit, gjë që mungonte prej kohësh në vendin tonë”, citon gazeta “Panorama” ministrin Pango në këtë konferencë.

Kjo shkollë e krijuar vitin e kaluar me pjesëmarrjen e Kryeministrit Berisha dhe me mbështetjen e Qeverisë Italiane dhe UNESCO-s aktualisht funksionon në nivelin pasuniversitar të studimeve me kohëzgjatje 18 muaj dhe ka të regjistruar studentë shqiptarë, që po njihen nga afër me teknikat e restaurimit.

Parashikohet që me kthimin e saj në një institucion pasuniversitar rajonal evropian, lektorë e studentë shqiptarë e të huaj të kenë mundësi të studiojnë dhe restaurojnë me kriteret më të avancuara të kohës monumentet e shumta të kulturës kudo në territorin e Shqipërisë.