Telegrafi

Shkojnë mërgimtarët, rikthehen kolonat në Merdar

Pas festave të fundvitit ku mërgimtarët vizituan familjet e tyre në Kosovë, tashmë ka ardhur koha për tu kthyer në vendet ku jetojnë dhe veprojnë, kurse pritjet e gjata në pikëkalimet kufitare tashmë janë bërë brengë e madhe për ta sa herë që vijnë dhe kthehen nga Kosova.

Në pikën kufitare Kosovë-Serbi, në Merdare, ka fluks të madh prandaj edhe pritjet janë më të gjata.

Daut Hoxha nga Policia e Kosovës ka thënë për ‘Zëri.info’ se qarkullimi i njerëzve dhe mallrave në pikat kufitare është duke u zhvilluar normalisht dhe pa pengesa, përveç në Merdar pritjet janë më të gjata.

“Sipas informacioneve të fundit që kemi pranuar nga kompetentet nëpër pikat kufitare, qarkullimi i njerëzve dhe mallrave në të gjitha vendkalimet kufitare të RKS-së po zhvillohet normalisht dhe pa pengesa”, tha ai.

Ai tha se për shkak të përqendrimit –fluksit më të madh në pikën kufitare në Merdar në dalje nga Republika e Kosovës ka pritje më të gjata. “Megjithatë Policia e Kosovës është duke punuar me kapacitete të rritura dhe procedura të përshpejtuara për të garantuar qarkullim sa më të lehtë të të gjithë atyre që frekuentojnë pikë kalimet respektive kufitare ku vërehet përqendrim më i madh’, ka thënë Hoxha.

Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që përveç pikës kufitare në Merdare të përdorin edhe pikëkalimet e tjera ku fluksi i automjeteve është më i vogël. /Zëri/

Foto: Ilustrim