Telegrafi

Shkodër, zjarri vret babë e bijë

Një vajzë 14-vjeçare dhe babai i saj humbën jetën të shkrumbuar nga flakët që pushtuan shtëpinë, ndërsa një grua mori plagë të rënda dhe është në gjendje kritike për jetën, raporton TCH.

Dyshimet e policisë janë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi.

Familja Luca po festonte Shën Gjonin, një festë që kujtohet çdo datë 26 dhjetor nga banorët e zonës së Dukagjinit. Rreth orës 22 banesa e tyre, në lagjen Qafëhardhi në Shkodër, u përfshi nga flakët.

Banorët, zjarrfikësit dhe forcat e policisë u vunë në ndihmë, por zjarri i rënë ishte fatal dhe 14-vjeçarja Silvana Luca dhe babai i saj Dede Luca, 53 vjeç, mbetën të shkrumbuar nga flakët dhe humbën jetën brenda pak minutave.

Ndërsa nëna e vajzës dhe bashkëshortja e viktimës, shtetasja Tone Luca mori plagë serioze dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes nga hetimet e para ka hedhur dyshimet se rrjedhja nga bombola e gazit duke rënë në kontakt me nxehtësinë apo rrymën elektrike ka provokuar një shpërthim të fortë dhe përhapjen e gazit e flakëve në gjithë shtëpinë. /Telegrafi/