Telegrafi

SHKNRR: Hapja e Post Bankës shpëton vendin nga kriza financiare

Sipas SHKNRR-së, bankat komerciale në Kosovë, në bazë të rekomandimeve të qendrave të tyre të vendosjes i kanë mbyllur hermetikisht dyert për mbështetjen financiare të biznesit kosovar dhe me mbylljen e tyre në vete janë paralizuar edhe mjetet e depozituesve kosovare dhe sidomos atyre më të mëdhenjve siç janë mjetet e PTK-së.

"Si reagim ndaj një mungese akute të mjeteve financiare, sidomos atyre qarkulluese, shumë biznese kosovare kanë filluar t’i largojnë punëtorët”.

SHKNRR po ashtu ka vlerësuar se hapja e Postë-bankës do të krijonte një mundësi që mjetet financiare të krijuara në Kosovë nga ana e PTK-së dhe ato buxhetore të plasohen në ekonominë e Kosovës me një interes të ndërsjellë si për PTK-në, për bizneset kosovare ashtu edhe për Qeverinë e Kosovës.

“Me gjithë atë, ideja e hapjes së Postë bankës si një institucioni financiar vendor, nuk po përkrahet nga ana e disa institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”.

Sipas SHKNRR-së, rezervimet ndaj hapjes së Post bankës ka shprehur Guvernatori i BQK-së i cili publikisht ka pohuar si sukses të institucionit që drejton, se mjetet e ekonomisë së Kosovës për shkaqe sigurie janë të plasura në tregjet e jashtme.

“Ashtu ka ndodhur me mjetet e Trustit pensional, me mjetet e privatizimit etj. Ndërsa ekonomia kosovare po përjeton ditët më të zeza në përpjekjet e saja për të mbijetuar për shkak të mungesës së mjeteve financiare”.

Ndërkaq, ndër institucionet ndërkombëtare të cilat e kundërshtojnë hapjen e Postë bankës së Kosovës, në shtyp është përmendur FMN-ja.

“Por, nuk është e qartë, nëse është vërtet mospajtimi i këtij institucioni rreth themelimit të postë bankës në Kosovë apo është interpretim i qarqeve të caktuara te cilat e kundërshtojnë hapjen e Post bankës”. /Telegrafi/