Telegrafi

SHKK nga e hëna vazhdon me lehtësimin e masave kundër COVID-19 për të burgosurit

Foto: Ilustrim

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), ka bërë të ditur se nga dita e hënë do të fillojë me hapat e radhës të lehtësimit të masave mbrojtëse kundër COVID-19 në institucionet korrektuese.

SHKK përmes një komunikate për media ka njoftuar se nga 14 shtatori do të fillojë me lejimin e vikendeve për të dënuarit, e po ashtu për vizitat familjare do të lejojë dy persona të rritur dhe fëmijët (fëmijët nuk kufizohen).

“Gjatë vizitës së tyre, secili familjar është i obliguar të dezinfektohet në hyrje të institucioneve korrektuese, e po ashtu me vete të bartë edhe maskë mbrojtëse. Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar lehtësimin e masave në bashkëpunim me Departamentin e Shëndetësor të Burgjeve”, thuhet në njoftim.

Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik dhe familjarët e të burgosurve rreth hapave në vazhdim. /Telegrafi/