Telegrafi

SHKK: Deri më tash shtatë zyrtarë korrektues janë infektuar me COVID-19, pesë prej tyre janë shëruar

Shërbimi Korrektues i Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se deri më tani në qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit, asnjë i burgosur nuk është prekur me virusin COVID-19, ndërsa kanë rezultuar pozitiv shtatë zyrtarë korrektues.

“Nga shtatë të infektuarit, pesë janë nga Qendra e Paraburgimit Mitrovicë, një nga Qendra Korrektuese Dubravë dhe një nga Qendrën e Paraburgimit Gjilan.

Nga ky numër, të shëruar janë pesë, ndërsa dy zyrtarë janë liruar nga detyra për tu vendosur në vetë-karantinë”, thuhet në njoftimin për media.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, sipas planit operativ “Coronavirus”, me qëllim të parandalimit të përhapjes së Pandemisë COVID-19, përmes mekanizmave të brendshëm është duke vazhduar realizimin e detyrave, aktiviteteve dhe masave të parapara për ruajtjen e sigurisë, shëndetit dhe higjienës nëpër institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit. /Telegrafi/