Telegrafi

Shkëputja e energjisë elektrike në Shqipëri dhe rajon, Rrjeti Evropian Operatorëve të Sistemit të Transmisionit: Do të nisim hetim të detajuar

Pas territ energjetik që përjetoi Shqipëria dhe i gjithë rajoni mesditën e së premtes, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike (ENTSO-E) ka bërë të ditur se do të nisë një hetim lidhur me këtë incident.    

Në njoftim thuhet se më 21 qershor 2024 rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet, në sistemin energjetik ka ndodhur në pjesën juglindore.

“Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjetit elektrik në Shqipëri, Mal i Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe një ndërprerje të pjesshme në Kroaci”, thuhet në njoftim.

OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes tek konsumatorët.

Tutje thuhet se ENTSO-E aktualisht është duke mbledhur të gjitha të dhënat teknike relevante për këtë ngjarje nga OST-të e prekura dhe do të ofrojë më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndryshe, thuhet se Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO-E do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh. /Telegrafi/