Telegrafi

Shkëndija vizitohet nga drejtori i akademisë së Barcelonës

Drejtori i Akademisë së Barcelonës për projekte në Evropë, Inaki Andreu, ka qëndruar sot në zyrat e klubit të Shkëndijës, duke realizuar takim me anëtarë të kryesisë së klubit.

Shkëndija ndjehet e privilegjuar pasi spanjolli zgjodhi Shkëndijën si klub të parë në Maqedoni për të realizuar këtë vizitë.

“Shkëndija sot ka pasur një vizitë të rëndësishme, me ndërmjetësim të Ministrit për Investime të Huaja të Republikës së Maqedonisë, z.Goran Mickoski, në zyrat e klubit ka qëndruar zyrtari nga FC Barcelona, Inaki Andreu drejtor i projekteve të Akademisë së Barcelonës për  Evropë”, thuhet në njoftimin e klubit.

Andreu në një kamp për fëmijë të organizuar nga Barcelona

“Ai ka realizuar takim me zëvendës presidentin e klubit, z.Agim Kurtishin dhe udhëheqësin e Departamentit për Marrëdhënie me jashtë, z.Alban Bogaj. Palët kanë vizituar edhe stadiumin ekzistues projekti për rikonstruimin e të cilit pritet të filloj shumë shpejtë. Në takim është folur për zhvillimin e  Akademisë, mysafirit i është shpjeguar historia e klubit dhe projekti që është në ndërtim e sipër prej kur “Ecolog” është sponsor i Shkëndijës”, përfundon komunikata e klubit tetovar.

Në të ardhmen e afërt priten edhe takime të tjera me synim realizimin e projektit të shkollës së futbollit sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.