Java e 21-të e Ligës së Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut konfirmoi formën e shkëlqyer të Shkëndijës dhe FC Shkupit, ndërsa Voska Sport rikthehet te fitorja dhe Struga vazhdon krizën e rezultateve, njofton Telegrafi.
Shkëndija vazhdon dominimin në pjesën pranverore, duke regjistruar fitoren e katërt radhazi. Tetovarët mposhtën Tikveshin me rezultat minimal 1-0, falë një goli spektakolar me thembër nga nigeriani Alhassan në minutën e 35-të. Me këtë fitore, Shkëndija vazhdon të kryesojë tabelën dhe po shkëputet nga ndjekësit.
FC Shkupi nuk ndalet, duke shënuar fitoren e pestë radhazi. Në Çair, bardheblutë mposhtën Pelisterin 3-1, me dy gola nga Ibishi dhe një tjetër nga Ajeti. Mysafirët shënuan golin e nderit me Ivanovskin nga pika e bardhë. Edhe pse me një ekip të reduktuar, Shkupi vazhdon të mbetet në garë për kreun.
Voska Sport shënoi një fitore të rëndësishme 3-1 kundër Brerës. Kroati Vinogradac, ganezi Osei dhe Ademi ishin realizuesit për ekipin nga Ohri, ndërsa Brera zbuti disfatën në fund me golin e Fahd N’Dzengue.
Struga Trim Lum nuk po gjen formën as me trajnerin e ri Illço Gjorgjioski. Struganët u mposhtën 3-1 nga Sileksi në Kratovë, duke humbur terren në garën për titullin kampion.
Gostivari nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 kundër Rabotniçkit, duke regjistruar barazimin e katërt në pesë ndeshjet e fundit. Po me të njëjtin rezultat përfundoi edhe përballja mes Vardarit dhe Besës, me të dyja skuadrat që ndanë pikët. /Telegrafi/
Rezultatet e Javës së 21-të
- Shkëndija – Tikveshi 1-0
- Shkupi – Pelisteri 3-1
- Voska Sport – Brera 3-1
- Sileksi – Struga TL 3-1
- Gostivari – Rabotniçki 0-0
- Vardari – Besa 0-0
Java e 22-të (05.03.2025, ora 14:00)
- Struga – Shkëndija
- Tikveshi – Shkupi
- Brera – Gostivari
- Besa – Sileksi
- Pelisteri – Voska Sport
- Rabotniçki – Vardari