Site icon Telegrafi

Shkëndija konfirmon rikthimin e Ferhan Hasanit

Klubi nga Tetova, Shkëndija ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për rikthimin e sulmuesit të njohur Ferhan Hasani.

Kuqezinjtë kanë vazhduar me përforcimin e skuadrës në afatin kalimtar të janarit pasi së fundmi kanë rikthyer legjendën e klubit, Hasanin.

“KF Shkëndija me kënaqësi njofton se ka arritur marrëveshje për rikthimin e Ferhan Hasanit në klubin tonë, duke nënshkruar kontratë me kohëzgjatje prej 2 vite e gjysmë”.

“Kështu klubi me këtë lëvizje sensacionale bën përforcimin e tretë të kuqezinjve në këtë afat kalimtar të janarit, me çka vijon ndërtimi i skuadrës së re e cila pritet të hap një kapitull të ri në sukseset e radhës së Shkëndijës”, thuhet në njoftim.

Hasani në skuadrën kuqezi rikthehet pas tre vite e gjysmë, ndërsa brenda kësaj periudhe ishte pjesë e ekipit të Al-Raed nga Arabia Saudite, HJK Helsinki nga Finlanda, ndërsa së fundmi luajti për ekipin e Partizanit nga Tirana.

Po ashtu, verën e shkuar Ferhan Hasani ishte pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në Kampionatin Evropian “EURO 2020”.

Sulmuesi i njohur me nofkën “Buba” në të kaluarën me fanellën e Shkëndijës ka fituar 5 trofe, edhe atë 2 herë titullin e kampionit të Maqedonisë së Veriut, 2 trofe të Kupës dhe 1 trofe të Super Kupës, ndërsa ishte ndër lojtarët kryesorë në sukseset e Shkëndijës në garat evropiane kur skuadra kuqezi për tre vite radhazi luajti në ndeshjet “play-off” të Ligës së Evropës. /Telegrafi/

Exit mobile version