Java e katërt e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, e cila do të zhvillohet më 31 gusht shkaku i grumbullimit të përfaqësueses së seniorëve për ndeshjet e Ligës së Kombeve të UEFA-s, pritet të sjell përballje kyçe për ecurinë e kampionatit, me ndeshje që fillojnë në ora 16:00, njofton Telegrafi.
Ekipet shqiptare që garojnë në Ligën e Parë të Maqedonisë së veriut, do të jenë në qendër të vëmendjes, teksa kërkojnë të mbajnë ritmin dhe të vazhdojnë rrugën drejt suksesit. Lideri i ri i tabelës pas katër javëve është Shkëndija nga Tetova, skuadër kjo që ka ambicie të mëdha për këtë sezon, ndërsa në këtë javë do të përballet me Pelisterin në Tetovë. Kuqezinjtë nga Tetova do të synojnë tri pikët në këtë ndeshje, për të mbajtur presionin ndaj rivalëve kryesorë dhe për të ruajtur pozitën e parë në tabelë.
Besa do të presë Rabotniçkin dhe dy ekipet në këtë ndeshje do të futen pas fitoreve që morën javën e kaluar. Besa do të kërkojë të shfrytëzojë epërsinë e fushës nikoqire, ndërsa Rabotniçki të tregojë se nuk ishin të rastësishme rezultatet e tri javëve të para.
FC Shkupi udhëton për t’u përballur me Sileksin, një sfidë që nuk duhet nënvlerësuar. Shkupi synon të vazhdojë ecurinë e tij pozitive, por duhet të jetë i kujdesshëm për të shmangur çdo befasi nga një kundërshtar që di të bëjë të papritura.
Në një tjetër përballje të fortë, Struga Trim & Lum do të presë AP Brera-n. Dy ekipet i kthehen javës së katërt pas disfatave që morën. Struga do të kërkojë maksimumin nga kjo ndeshje, ndërsa AP Brera është në një krizë pas disfatës në shtëpi nga Shkëndija.
Tikveshi do të presë Gostivarin ambicioz, në një ndeshje ku të dy ekipet kërkojnë pikë të rëndësishme për të përmirësuar pozitat e tyre në renditje. Gostivari synon të vazhdojë të mbetet e pamposhtur dhe të tregojë forcë, ndërsa Tikveshi kërkon këndelljen pas disfatës nga Besa në javën që lamë pas.
Dueli i fundit i kësaj javë është në mes dy ekipeve të fundit, Vardarit i cili do të presë Voska Sportin në Shkup. Do të jetë një sfidë që pritet të jetë shumë interesante. Voska Sport kërkon të befasojë në këtë ndeshje dhe të merr rezultat pozitiv për ti ikur fundit, ndërsa edhe Vardari pas disfatës nga Shkupi është në pozitë mjaft të vështirë në tabelë.
Java e katërt pritet të jetë plot me emocione dhe përballje dramatike, me ekipet shqiptare që janë të vendosura për të lënë gjurmë në këtë sezon. /Telegrafi/
Java e katërt (31 gusht ora 16:00)
Takohen: Besa – Rabotniçki, Shkëndija – Pelisteri, Sileksi – Shkupi, Struga – AP Brera, Tikveshi – Gostivari dhe Vardari – Voska Sport.