Një gjykatë në Kinë e dënoi të hënën He Jiankui, studiuesi që tronditi komunitetin shkencor global kur pretendoi se ai kishte krijuar foshnjat e para të modifikuara gjenetikisht, me tre vjet burg për kryerjen e “praktikave të paligjshme mjekësore”.
Në një njoftim të papritur nga një gjyq i cili ishte i mbyllur për publikun, gjykata në qytetin jugor të Shenzhen e shpalli fajtor shkenctarin që falsifikoi dokumente miratimi nga bordet e rishikimit të etikës për të rekrutuar çifte në të cilët burri kishte HIV dhe gruaja jo, raportoi Televizioni Qendror i Kinës.
Ai kishte thënë se po përpiqej të parandalonte infeksionet HIV në të porsalindurit, por media shtetërore të hënën tha se ai mashtroi subjektet dhe autoritetet mjekësore poashtu.
Ai e dërgoi botën shkencore në një trazirë vitin e kaluar, kur njoftoi në një konferencë në Hong Kong se kishte krijuar foshnjat e para gjenetikisht të modifikuara – vajza binjake.
Të hënën, media shtetërore e Kinës tha se puna e tij kishte rezultuar në një fëmijë të tretë të modifikuar gjenetikisht, i cili nuk ishte zbuluar më parë.
Ai u shpall fajtor dhe gjithashtu u gjobit me 430,000 dollarë amerikanë, sipas Xinhua, agjensia zyrtare e lajmeve në Kinë. /Telegrafi/