Autorizimi i shfrytëzimit emergjent të një vaksine kundër coronavirusit nuk duhet të jepet lehtësisht, thotë shkencëtari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Zyrtarët e OBSH-së paralajmëruan vendet që nxitojnë të zhvillojnë një vaksinë anti COVID-19, duke thënë se autorizimi i përdorimit emergjent duhet të bëhet me shumë kujdes, raporton CNN.
Kina dhe Rusia kanë njoftuar se do të fillojnë prodhimin e vaksinave përpara se të përfundojnë provat klinike të fazës së fundit, transmeton Telegrafi.
Megjithatë Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së, mjeku Stephen Hahn, ka pohuar se nëse Shtetet e Bashkuara marrin mjaftueshëm të dhëna nga provat e përparuara, mund të autorizojë prodhimin e vaksinës para se të përfundojnë të gjitha testimet klinike.
Të pyetur në lidhje me atë që po planifikojnë të tre vendet, zyrtarët e OBSH-së thanë se është e rëndësishme të sigurohen se vaksina është e sigurt të paktën dhe funksionon përpara se të përdoret gjerësisht.
Ndërsa i takon autoritetit rregullator kombëtar të çdo vendi për të marrë vendime në lidhje me miratimet, OBSH-ja ka në ueb-faqe një dokument udhëzues që përcakton hap pas hapi procedurën e përdorimit të tyre emergjent. /Telegrafi/