Shkencëtarët nga Universiteti Alberta kanë arritur të zhvillojnë rrobat që mund të vrasin viruset dhe bakteret.
Rrobat janë të dedikuara për zjarrfikësit dhe policët, e janë bërë nga pëlhura që dekontaminon veten, transmeton Telegrafi.
Ky material mund të ketë një përdorim më të gjerë edhe në të gjitha llojet e uniformave.
“Këtë teknologji duam ta bëjmë efikase dhe të përputhshme me proceset e prodhimit në nivel industrial, dhe ky është një hap i madh”, tha shkencëtarja Patricia Dolez, e cila është eksperte e tekstilit në fakultetin e Bujqësisë, Shkencave të Jetës dhe Mjedisit.
Projekti përqendrohet në përmirësimin e performancës afatshkurtër dhe afatgjatë të përfundimit të pëlhurës, që po e hulumtojnë Dolez dhe kolegët e saj James Harynuk dhe Jane Batcheller.
Qëllimi është që prodhimi industrial në shkallë të gjerë të bëhet ekonomikisht i realizueshëm. Puna u mbështet me një milion dollarë nga programi i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare në Kanada.
Në procesin e përfundimit, përdoren N-halamina, përbërës që mund të vrasin shpejt dhe me efikasitet bakteret dhe viruset, dhe mund të aplikohen lehtësisht në tekstile.
Kombinimi është i përshtatshëm për të gjitha uniformat mbrojtëse, ato mund të vishen nga të gjithë, nga ushtarët dhe zjarrfikësit e deri te punonjësit e mjekësisë. /Telegrafi/