Telegrafi

Shkencëtarët zbulojnë një peizazh të lashtë në një zonë në Tokë, ‘më pak të njohur se sipërfaqja e Marsit’

Një peizazh i lashtë “i fshehur” nën shtresën e akullit të Antarktidës Lindore për të paktën 14 milionë vjet është zbuluar me ndihmën e të dhënave satelitore dhe aeroplanëve të pajisur me radar depërtues në akull.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shkencëtarët përdorën teknikat e sensorit në distancë për të “zbuluar” 32,000 kilometra katrorë tokë – një zonë rreth të njëjtës madhësi si Belgjika.

Ata zbuluan një peizazh të formuar nga lumenjtë para grumbullimit kontinental të shtresës së akullit të Antarktidës Lindore që dikur do të ngjante me kodrat dhe luginat e Uellsit të Veriut të sotëm, sipas një studimi të botuar të martën në revistën “Nature Communications”.

Studiuesit u nisën për të “hartuar” historinë e shtresës së akullit dhe se si ajo evoluoi me kalimin e kohës, dhe të kuptuarit se si dukej toka “para se të fshihej” nën shtresat e ngrira është një kapitull i rëndësishëm në atë histori, shpjegoi autori kryesor i studimit Stewart Jamieson, një profesor në departamentin e gjeografisë në Universitetin e Durham.

“Toka nën shtresën e akullit të Antarktidës Lindore është më pak e njohur se sipërfaqja e Marsit”, citohet të ketë thënë Jamieson në një deklaratë.

“Dhe ky është një problem sepse ai peizazh kontrollon mënyrën se si rrjedh akulli në Antarktidë dhe kontrollon mënyrën se si mund t’i përgjigjet ndryshimeve klimatike të së shkuarës, të tashmes dhe të së ardhmes”, shtoi ai.

Siç thuhet më tej, natyra e ruajtur mirë e peizazhit e bën atë veçanërisht të veçantë pasi është e rrallë të gjesh peizazhe relativisht të pamodifikuara nën një shtresë akulli kontinentale. /Telegrafi/