Shkencëtarët thanë se kanë zbuluar ekzistencën e një liqeni të madh nëntokësor në Mars, duke rritur mundësinë për ekzistencën e jetës në Planetin e Kuq.
Revista amerikane “Science” raportoi se liqeni ndodhet nën një shtresë akulli në planet dhe duket se është rreth 20 kilometra i gjerë.
Ai u zbulua përmes përdorimit të një radari nga misioni eksplorues Mars Express i Agjencisë Evropiane të Hapësirës.
Uji konsiderohet një përbërës themelor për jetën.
Shkencëtarët thanë se zbulimi ofron dëshmi për mundësinë e jetës, porse nuk është provë.
Ata thanë se mund të duhen vite për të verifikuar nëse ndonjë gjë jeton në trupin e ujit.
Uji i lëngshëm besohet të ketë qenë i bollshëm në Mars rreth 3.6 miliardë vjet më parë.
Zbulimi i fundit është trupi më i madh i ujit të lëngshëm i gjetur ndonjëherë në planet.