Telegrafi

Shkencëtarët me zbulim të rëndësishëm për vrimat e zeza: Ky përbindësh po rrotullohet me të vërtetë

Astronomët kanë siguruar dëshmi të rrotullimit të vrimës së zezë, thonë shkencëtarët.

Është një vrimë e zezë supermasive në qendër të galaktikës fqinje Messier 87, hija e së cilës është regjistruar nga teleskopi Event Horizon.

“Pas suksesit të imazhit të vrimës së zezë në këtë galaktikë me teleskopin Event Horizon, nëse kjo vrimë e zezë rrotullohet apo jo ka qenë shqetësimi kryesor i shkencëtarëve”, tha Dr. Kazuhiro Hada i Observatorit Kombëtar Astronomik të Japonisë dhe bashkë-autor. “Tani është bërë e qartë – ky përbindësh me të vërtetë po kthehet”.

M87 ndodhet 55 milionë vite drite larg nga Toka dhe përmban një vrimë të zezë 6.5 miliardë herë më të madhe se Dielli. Menjëherë pas vrimës së zezë është një disk me gaz dhe pluhur. Një pjesë e këtij materiali do të bjerë në vrimën e zezë, duke u zhdukur përgjithmonë. Por, grimca do të nxirret nga polet e vrimës së zezë pothuajse me shpejtësinë e dritës.

Modelet teorike sugjerojnë se rrotullimi i vrimës së zezë është përgjegjës për këtë fenomen, shkruan theguardian.

Punimi i fundit, i botuar në revistën Nature, përdori vëzhgimet e M87 nga një rrjet global radioteleskopësh të marra nga viti 2000 deri në vitin 2022.

“Ne kemi marrë prova të qarta se vrima e zezë supermasive në M87 me të vërtetë po rrotullohet, duke përmirësuar të kuptuarit tonë për natyrën rreth vrimave të zeza supermasive”, thanë autorët.

Astrofizikani Ziri Younsi shtoi se rrotullimi i vrimës së zezë në të ardhmen mund të sigurojë një pasqyrë të ngjarjeve kataklizmike që dërguan në krijimin e saj.

“Fakti që po rrotullohet dhe ka një anim ju tregon se diçka mjaft e çmendur ka ndodhur në të kaluarën. Në një moment të historisë së saj, ndodhi diçka e dhunshme dhe tani kemi prova për këtë”, shtoi Younsi. /Telegrafi/