Site icon Telegrafi

Shkencëtarët në Antarktidë gjetën një meteorit me peshë shtatë kilogramë

Edhe pse shumë ndoshta nuk e dinë, Antarktida është në fakt një oazë për shkëmbinjtë që bien në Tokë nga hapësira.

Në 100 vitet e fundit, shkencëtarët kanë gjetur rreth 45 mijë meteoritë në kontinentin e ngrirë, por vetëm një numër i vogël i tyre, vetëm rreth 100, janë po aq të rëndë sa meteori i fundit që u gjet. Bëhet fjalë për një meteorit që peshon 7.57 kilogramë.

“Madhësia e meteorit nuk është domosdoshmërisht e rëndësishme sepse edhe mikrometeoritët mund të jenë jashtëzakonisht të vlefshëm shkencërisht. Megjithatë, është e rrallë të gjesh një meteorit kaq të madh”, tha Maria Valdes, një shkencëtare në Muzeun Field.

Shumica e shkëmbinjve hapësinorë të gjetur në Tokë vijnë nga brezi i asteroidëve që shtrihet midis Marsit dhe Jupiterit. Shkencëtarët besojnë se meteori “i ri” mbërriti gjithashtu në të njëjtin brez disa dhjetëra mijëra vjet më parë.

Këta shkëmbinj hapësinorë janë bërë nga materiale dhe minerale të lashta ndërsa studimi i tyre i ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë kozmosin. Meteori i rëndë është ruajtur mirë dhe mund të hedhë dritë mbi shumë aspekte të panjohura të historisë së sistemit tonë diellor.

Është interesante se shumica e shkëmbinjve hapësinorë të ruajtur mirë u zbuluan në shkretëtirë ose në Antarktidë.

Ekspertët e agjencisë amerikane të hapësirës, NASA pohojnë se në kontinentin e akullt janë edhe 300 mijë gurë hapësinorë që presin të zbulohen. /Telegrafi/

Exit mobile version