Telegrafi

Shkencëtarët gjejnë lidhjen mes virusit Zika dhe një sindrome të rrallë

Shkencëtarët francezë thonë se kanë vërtetuar një lidhje ndërmjet virusit Zika dhe një sëmundjeje serioze të nervave, të njohur si Sindroma Guillain-Barre.

Kjo sindromë i rrallë bën që sistemi imunitar i trupit t’i sulmojë pjesët e sistemit nervor, duke shkaktuar paralizë të përkohshme, dhe në 5 për qind të rasteve, edhe vdekjen.

Zakonisht shfaqet disa ditë pas ekspozimit ndaj ndonjë virusi, baktere apo paraziti.

Studimi francez, i publikuar të hënën, në revistën online “Lancet”, analizon të dhënat nga shpërthimi i virusit Zika në Polinezinë Franceze, gjatë viteve 2013 dhe 2014, transmeton Evropa e Lirë.

Studiuesit e kanë llogaritur rrezikun e zhvillimit të Guillain-Barre në 2.4, në çdo 10 mijë njerëz të infektuar me Zika.

Zika, e cila gjithashtu ka shfaqur edhe disa defekte gjatë lindjes, tani po përhapet me të madhe në Amerikën Latine.