Kushdo që kërkon rrënjët e albanologjisë në Evropë, të gjitha rrugët do ta çojnë tek albanologët austriakë, që janë ndër kontribuuesit më të mëdhenj, përmes veprës dhe studimeve të çmuara për gjuhën dhe kulturën shqiptare, që nga albanologu Johannes Georg von Hahn (1811-1869) që la pas vetes teza të fuqishme mbi vjetërsinë e gjuhës shqipe në Evropë dhe deri te albanologët e sotëm. Albanologët austriakë vlerësohen se janë të parët që nga shek. XVIII në masë më të gjerë u interesuan për studimin e drejtpërdrejtë të gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Studiuesit austriakë edhe sot kërkojnë rrënjët e gjuhës shqipe, traditës dhe kulturës me përkushtim dhe pasion mbresëlënës. Albanologu dhe përkthyesi letrar Kurt Gostentschnigg, me nostalgji kujton kohën kur filloi ta mësonte shqipen, duke e quajtur këtë gjuhë si dashurinë e tij të vjetër që lidhet me zemrën e tij, ndërsa me mendjen lidhet përmes historisë së shqiptarëve dhe marrëdhënieve austro-shqiptare. Si studiues i albanologjisë, Gostentschnigg këtë shkencë e trajton brenda një koncepti më të gjerë që përfshin elemente nga historia, etnografia, arkeologjia, sociologjia, filozofia, gjeografia etj. prandaj edhe interesimin dhe kontributin themelor të albanologëve austro-hungarezë e trajton në kontekstin politik, ekonomik dhe ushtarak të monarkisë Austro-Hungareze në Ballkan dhe në luftën e saj kundër pansllavizmit dhe imperializmit italian. Më vonë, përveç austriakëve, në këtë shtet kontribuuan edhe albanologët e shquar shqiptarë, si: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Pekmezi etj.
Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana
Kërkimet tuaja përfshijnë një periudhë të gjatë kohore të marrëdhënieve austro-shqiptare në disa fusha e edhe në albanologji. Duke pasur parasysh se dëshmitë e studimeve të para albanologjike vijnë nga studiuesit austriakë, do të doja ta nisim këtë bisedë me historinë e studimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Austri, si nisi, si u zhvillua, çfarë mund t`i ketë shtyrë linguistët austriakë të studionin shqipen dhe si e vlerësoni veprën e tyre sot?
Meqenëse hapësira e intervistës është e kufizuar, dua të përqendrohem në çështjet thelbësore. Për sa i përket termit “albanologji”, unë e përdor në kuptimin më të gjerë të fjalës, d.m.th. për mua ai përfshin të gjitha fushat shkencore, të cilat merren me studimin e shqiptarëve (histori, etnografi, arkeologji, sociologji, filozofi etj.), gjuhës shqipe (gjuhësi, letërsi) dhe vendbanimeve shqiptare (gjeografi, gjeologji etj.). Përgjigjen e kësaj pyetjeje tepër komplekse e kam dhënë në 828 faqe të monografisë sime “ Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Wiesbaden: Springer VS 2018”, titull i përkthyer në shqip: “Shkenca në fushën tensionuese të politikës dhe ushtrisë: Albanologjia austro-hungareze 1867-1918“, dhe në shumë shkrime të tjera të botuara, edhe në shqip. Shkurt: Në përgjithësi interesimi dhe kontributi themelor i albanologëve austro-hungarezë ka pasur si nxitje kryesore interesat politike, ekonomike dhe ushtarake të Perandorisë Austro-Hungareze në Ballkan në luftën e saj kundër pansllavizmit dhe imperializmit italian.
A ju kujtohet si e mësuat shqipen, çfarë ju frymëzoi t’i thelloni studimet për këtë gjuhë të vjetër evropiane?
Shqipja është e dashura ime e vjetër. Historia e shqiptarëve dhe marrëdhënieve austro-shqiptare është në mendjen time, ndërsa gjuha shqipe në zemrën time. Kur gjatë ekskursionit universitar në Shqipëri në vitin 1989, e dëgjova për herë të parë tingullin e ëmbël të shqipes, rashë menjëherë në dashuri me të. Fillova që në ditën e parë të shënoja fjalët e para në një fletore të vogël. Me t’u kthyer në Austri, fillova të mësoja për ditë në mënyrë autodidakte me një libër mësimor të shqipes. Ndonëse i stërlodhur nga puna fizike me vëllain tim në fushën metalurgjike në verën e vitit 1990, ulesha për ditë në darkë të kryeja të paktën një mësim. Gjatë qëndrimeve të mia të mëvonshme në Shqipëri mblidhja fjalë të urta nga veriu deri në jug, përsëri në një fletore të vogël dhe i çmendja gjuhëtarët shqiptarë, si p.sh. Ali Dhrimon, me pyetjet e mia tepër të hollësishme dhe këmbëngulëse lidhur me pasaktësitë dhe kontradiktat në librat mësimorë dhe gramatikorë. Puna e përkthimit dhe hartimi i shkrimeve të mia në shqip më mundësojnë ta ushqej këtë dashuri të ëmbël.
Bazuar në kërkimet tuaja, sa është trajtuar çështja e etnogjenezës shqiptare në studimet austro-hungareze?
Këtë çështje e kam trajtuar hollësisht p.sh. në shkrimin tim “Dimensioni politik i trajtimit të çështjes së etnogjenezës shqiptare nga ana e albanologjisë austro-hungareze. Në: Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht. Konferencë shkencore ndërkombëtare Prishtinë, 26.-27.10.2017. Prishtina: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës 2018, f. 477-491.” Përmbledhtas: Të dy teoritë kryesore mbi etnogjenezën shqiptare në kohën e Monarkisë Dualiste kanë qenë: teoria ilire e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja ose e autoktonisë së shqiptarëve si pasardhës të ilirëve; teoria trake e prejardhjes së shqipes nga trakishtja ose e imigrimit të paraardhësve trakë. Albanologët austro-hungarezë mbështetnin ose njërën ose tjetrën. Norbert Jokl mbante një qëndrim të ndërmjetëm. Në kohën e sotme janë përsëri dy gjuhëtarë austriakë, Joachim Matzinger dhe Stefan Schumacher, që nxisin debatin nga e para me teorinë e tyre të re, e cila përfaqëson një pozicion të tretë alternativ, të një substrati ballkanik, duke mbrojtur prejardhjen e shqipes as nga ilirishtja as nga trakishtja dhe zhvillimin e saj nga një gjuhë tjetër e panjohur ballkanike e vjetër.
Në karrierën tuaj universitare keni ligjëruar në Universitetin e Vjenës dhe në Universitetin e Grazit. A mund të na thoni si janë të pozicionuara studimet për gjuhën dhe letërsinë shqipe në këto dy universitete?
Ina Arapi është ekspertja për historinë e studimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Vjenës. Kur jepja mësim për fillestarë dhe të përparuar në Departamentin e Gjuhësisë në vitet 2001-2002, kishte rënë tashmë interesimi nga ana e studentëve për shkak të mungesës së perspektivës për vend pune. Në Universitetin e Grazit ishte Departamenti i Translatologjisë (shkenca e përkthimit dhe interpretimit), i cili e ofroi për herë të parë shqipen si degë përkthimi në vitin 2005, ku isha ndër pedagogët e parë të mësimdhënies së shqipes dhe të lëndëve përkatëse të përkthimit dhe interpretimit. Por, interesimi i madh fillestar i studentëve ra brenda një viti gati në zero, sepse ata orientoheshin sipas shanseve të tyre në tregun e punës. Kështu që kjo degë u mbyll pas dy viteve me vendimin e shefes së re gjermane, e cila nuk ishte e interesuar për gjuhë të vogla, të cilat nuk i hynin në punë frymës neokapitaliste të përhapur në gjithë botën. Peticioni nga ana e pedagogëve në favor të ruajtjes së shqipes mbeti pa efekt.
Përveç në universitetet austriake, keni ligjëruar edhe në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Shkodrës në Shqipëri. Si e kujtoni atë kohë, çfarë mbresa ju la Shkodra
Për orientim biografik: dy muaj me bursë doktorature në fund të vitit 1992, katër muaj me po këtë bursë në vitin 1993. Pastaj gjashtë vite si lektor në Universitetin e Tiranës, më 1993-1995 në Departamentin e Gjuhës Gjermane dhe 1996-2000 në Departamentin e Historisë. Kisha ardhur në Tiranë me bronkit kronik dhe më duhej të shkruaja disertacionin krahas punës si lektor. Për orientim politik: koha e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike, e firmave piramidale, e trazirave si në një luftë civile në 1997, e Fatos Nanos dhe Partisë Socialiste, e Luftës së Kosovës dhe refugjatëve kosovarë 1998/1999, e luftës për pushtet dhe pasurim të shpejtë personal… Për orientim ekonomiko-shoqëror: koha e zaptimit të tokës, e shkatërrimit të natyrës, e ikjes së trurit jashtë shtetit, e korrupsionit, e mungesës së perspektivave për rininë, e lënies në baltë të pjesës më të madhe të popullsisë… Për orientim jetese: koha e rrugëve gropa-gropa, e ikjes së dritave, e mungesës së ujit, e ngrohjes me vaj guri, e zhurmës së gjithanshme.
Me studentët e mi në Tiranë kisha në përgjithësi marrëdhënie shumë të mira, megjithëse kreshta midis respektit për mësuesin dhe shfrytëzimit të miqësisë ishte shumë e ngushtë. Së bashku bënim festa, luanim futboll në park dhe shëtisnim në natyrë. Por, afrimiteti im me studentët më fuste edhe në situata të vështira, p. sh. kur miqësia keqkuptohej si gatishmëri për dhënien e notave të pamerituara. Detyra ime si lektor në Departamentin e Historisë ishte t’i jepja mësim një grupi të vogël studentësh të përzgjedhur nga unë në gjuhën gjermane dhe historinë e marrëdhënieve austro-shqiptare. Nga ky projekt i pashoq kishin dalë disa absolventë, të cilët bënë një karrierë të shkëlqyer akademike.
Në Universitetin e Shkodrës kam punuar si pedagog në Degën e Gjuhës Gjermane në vitet 2006-2011. Kisha marrëdhënie intensive me studentët e mi, me disa prej tyre më lidh ende sot një miqësi për jetë. Por, eksperimenti im i kalimit të mësimdhënies nga stili i vjetër autoritar në stilin e ri miqësor dështoi në përgjithësi, sepse shumica e studentëve nuk e kuptonte dot nevojën e ndarjes së jetës private nga koha e mësimit dhe të ruajtjes së disiplinës minimale. Ndikimin e dialektit shkodran në të folurit tim shqip e përjetoja si “prishje të gjuhës”, ndërsa miqtë e mi shkodranë e cilësonin si “rregullim të gjuhës”.
Duke qenë se jeni edhe poet, sa e lexoni veprën poetike shqiptare? A mund të na përmendni poetë veprat e të cilëve i lexoni me kënaqësi?
Lista është e gjatë, prandaj do t’i përmend vetëm ata autorë të cilët i kam më shumë për zemër: ndër autorët shqiptarë Lasgush Poradeci, Migjeni, Fan Noli; ndër autorët joshqiptarë Johann Wolfgang von Goethe, Hermann Hesse, Pablo Neruda, Sri Aurobindo. Si libër letrar dua ta veçoj “Princi i vogël”, sepse është për fëmijë dhe të rritur, pafundësisht i thellë, në fakt një vepër mistiko-spirituale.
Përveç zhvillimit dhe promovimit të albanologjisë në shtetin austriak, keni arritur ta bëni të njohur përmes përkthimit edhe veprën letrare të shkrimtarëve shqiptarë. A mund të na thoni se ku bazohet përzgjedhja juaj: në mendimet e kritikës letrare, në shijen tuaj personale apo sipas kërkesave të botuesit?
Në përzgjedhjen e veprave letrare për përkthim unë nuk mbështetem as në mendimin e kritikës letrare as në kërkesën e shtëpive botuese. Zakonisht, kritika letrare fshihet pas nocioneve të ndërlikuara dhe shpesh të vetëshpikura dhe të pakuptueshme për lexuesin dhe rrotullohet rreth intelektit, duke i përjashtuar kategoritë e zemrës dhe të Shpirtit, realitetin e të cilëve ose nuk e pranon ose nuk e kupton. Dhe shtëpitë botuese ia kanë shitur shpirtin maksimalizimit të përfitimit. Emri ose fama e autorit nuk më intereson. Mua më intereson vepra. Prandaj, unë nisem nga përmbajtja e veprës, qoftë prozaike, qoftë poetike, qoftë me rimë, qoftë pa rimë. Në qoftë se gjej punët e zemrës dhe të Shpirtit atje, atëherë unë e marr përsipër me kënaqësi. Puna e përkthimit, meqë është e vështirë, në qoftë se bëhet me seriozitet, duhet të shpërblehet financiarisht në mënyrë të drejtë. Një përkthyes i mirë i bashkon të trija kompetencat kryesore në një person: kompetencën gjuhësore, kompetencën përkthimore dhe kompetencën kulturore. Në qoftë se ka mangësi qoftë edhe vetëm në njërën nga këto kompetenca, atëherë përkthimi nuk mund të jetë në nivelin e duhur.
A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar aktualisht nga fusha e albanologjisë dhe përkthimeve të veprës letrare shqipe për lexuesin austriak?
Aktualisht nuk po merrem me ndonjë përkthim letrar, por me shkrimin tim historiko-shkencor “Kombi si shpirt kolektiv”, në të cilin paraqes një temë dhe një qasje të re në shkencën historike shqiptare, duke e krahasuar çështjen shqiptare me çështjen indiane. Shkenca nuk zhvillohet si qëllim në vetvete. Ajo i shërben njeriut, shoqërisë, njerëzimit. Por, përballë kompleksitetit dhe ndërvarësisë së sfidave kolosale në botë, shkenca e sotme që mbështetet në përgjithësi vetëm në arsye, mendje dhe intelekt, gjendet në qorrsokakun mental, sepse ajo vetë është pjesë e problemit, si në Shqipëri dhe Kosovë ashtu në gjithë botën.
Shkencëtarët dhe intelektualët janë si të vetëburgosur në burgun e intelektit, i cili është shumë i aftë për analizë dhe kundëranalizë, përgjigje dhe kundërpërgjigje, studim dhe kundërstudim, por krejt i paaftë për një sintezë integrale esenciale. Prandaj, duhet një koshiencë më e lartë, epoka e re e intuitës, e cila e di dhe e sheh të vërtetën në mënyrë direkte, për t’i zgjidhur bashkërisht problemet e mëdha botërore, të cilat po fillojnë të kërcënojnë ekzistencën e njerëzimit. Duhet kontributi i shkencës së hapur ndaj intuitës, siç është p.sh. vepra e spiritualo-intelektualit shqiptar Petro Zheji. Duhet kontributi i rinisë shqiptare të lindur me një koshiencë më të avancuar sesa brezi i vjetër.
Por ku është kjo shpresë për një të ardhme më të mirë, për shpëtimin e planetit tonë? Mos është e hipnotizuar ajo nga joshjet permanente të konsumimit turbokapitalist dhe nga premtimet mashtruese të ezoterikës pseudospirituale? Pse duhet të përjetojmë sot në Shqipëri dhe në Kosovë përsëritjen e luftës për pushtet politik dhe ekonomik, sikur kemi ngecur në filllimvitet 90? Vitaliteti i lavdëruar i popullit shqiptar – përse po shfrytëzohet që prej tri dekadash? Për qëllime egoiste të jashtme, për egon personale dhe egon familjaro-klanore, apo për qëllime shpirtërore të brendshme, për Veten individuale, Veten kombëtare dhe Veten botërore? Kur do të çohet më në fund ky popull i vjetër, ky komb i ri, i udhëhequr nga paria spirituale, nga rinia shkollore e studentore, nga elita intelektuale, nga njerëzit me zemër dhe Shpirt, në mëmëdhe dhe në mërgim, duke gjetur Shpirtin e vet të fshehtë dhe ligjin e vet të brendshëm, për t’i zhdukur strukturat e vjetra mafiozo-partiako-ekonomiko-shtetërore dhe për t’i zëvendësuar ato me struktura vërtet njerëzore e shpirtërore?
Sidoqoftë, herët a vonë kjo do të ndodhë, sepse esenca e përhershme e unitetit ose Shpirti, ende duke prehur fshehurazi me gjithë forcën e pafund në individ dhe në kolektiv, kur të dalë një ditë në pah dhe t’i marrë frerët e veprimit në dorë, nuk do të ndalet dot.