Site icon Telegrafi

Shkëmbimi i parë i të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës pas rrëzimit të aeroplanit

Gjithsej 207 ushtarë ukrainas të zënë rob lufte nga rusët, janë kthyer në shtëpi pas marrëveshjes me Rusinë për shkëmbimin e të burgosurve, tha sot presidenti Volodymyr Zelenskiy.

“Njerëzit tanë janë në shtëpi”, ka shkruar ai në Telegram.

Në rrjetet sociale u shfaqën fotografitë plot emocione të ukrainasve të shkëmbyer, duke qarë të mbështjellë me flamuj ukrainas, transmeton Telegrafi.

Të dy vendet zhvilluan shumë shkëmbime të burgosurish gjatë luftës gati dyvjeçare. Por shkëmbimet e mëtejshme ishin në dyshim, pasi Moska akuzoi Kievin për rrëzimin e një aeroplani transportues ushtarak javën e kaluar, i cili thuhet se transportonte 65 të burgosur ukrainas.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi sot se ka përfunduar një marrëveshje shkëmbimi me Ukrainën, sipas së cilës secila palë mori 195 ushtarë.

Ministria tha se ushtarët rusë do të dërgohen në Moskë për të marrë ndihmë mjekësore dhe psikologjike.

Është shkëmbimi i parë i tillë që nga rrëzimi i aeroplanit rus javën e kaluar, që Moska thotë se transportonte 65 ushtarë ukrainas përpara shkëmbimit të planifikuar. /Telegrafi/

 

Exit mobile version