Site icon Telegrafi

Shkëmbimet Kosovë – Shqipëri rreth 200 milionë euro

Përkundër disa barrierave, shkëmbimi i mallrave mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë vitit që lamë pas ka pasur rritje për 20 milionë euro të eksporteve dhe importeve, kundrejt vitit 2014. Mirëpo përkundër kësaj, ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi, nuk është i kënaqur pasi ekzistojnë ende barriera për të cilat beson që do të zvogëlohen në të ardhmen.

Minxhozi, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se pretë që nismat ligjore të marra nga të dy parlamentet të mundësojnë shfrytëzimin e mundësive që kanë të dyja vendet. “Viti që lamë pas, 2015-ta ka qenë një vit i suksesshëm në shkëmbimin e mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ka pasur një aktivitet ekonomik të ndërsjellë të rritur edhe kjo në vlerë monetare ka shkuar aty rreth 200 milionë euro, që do të thotë është rreth 20 milionë euro më tepër se vitin e kaluar. Ka pasur rritje të eksporteve të Kosovës në Shqipëri. Gjithashtu, edhe rritje të eksporteve të Shqipërisë në Kosovë. Një gjë të dukshme në këto eksporteve kanë zënë produktet bujqësore”, tha Minxhozi.

Sipas tij, përkundër rritjes së shkëmbimit tregtarë më mirë se një vit më herët, prapë nuk është i kënaqur me barrierat me të cilat janë ballafaquar bizneset gjatë vitit 2015. “Do thosha që ka rritje por ne jemi jo të kënaqur për mundësit që ekzistojnë midis dy vendeve tona. Ende ekzistojnë disa barriera që dita-ditës po zvogëlohen por prapë se prapë mundësitë janë shumë më të mëdha. Ajo që e rëndësishme që institucionet e ndryshme të shtetit shqiptarë dhe të shtetit të Kosovës po intensifikohen nga dita në ditë që këto barriera të ulen. Po i ndërmerren dhe nisma ligjore nga parlamentet e dy vendeve për të parë mundësinë që këto barriera jo vetëm thjeshtë në fushën doganore por edhe në fushën e njohjes për certifikimin e produkteve duhet të bëhet më tepër. Gjithsesi, unë mendoj që viti 2016 do të ketë një start më të fuqishëm për të rritur një shkallë më të madhe të bashkëpunimit dy palesh Shqipëri-Kosovë”, tha Minxhozi.

Një e arritur shumë e madhe sipas ambasadorit Minxhozi gjatë vitit 2015 ishte edhe përfundimi i projektit energjetik mes dy vendeve, i cili pritet të përfundojë në prill të vitit 2016. “Një sukses i madh do të thosha është edhe përfundimi i projektit i autostradës energjetike siç e quajmë Fushë-Kosovë kufi me Shqipërinë 95 kilometra i gjatë. Një investim prej 35 milionë eurosh. Përfundoj me shumë sukses në Kosovë dhe pritet që pjesa tjetër e Shqipërisë, 120 kilometra për t’u afruar, për t’u lidhur me Kosovën, një investim po me të njëjtën vlerë 35 milionë euro do të përfundoj në prillin e vitit të ardhshëm. Është tepër e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria lidhen me një sistem të transmetimit direkt. Po bëhet përpjekje jo vetëm transmetim të energjisë elektrike, të kemi edhe prodhim të energjisë elektrike dhe ka nisma dhe iniciativa që gjatë vitit 2016 këto të bëhen më konkrete”, tha Minxhozi.

Ai po ashtu tha se gjatë vitit të fundit ka pasur rritje të turizmit mes dy vendeve. “Një rritje tjetër të dukshme ka pasur edhe turizmi. Turizmi në drejtim të Shqipërisë por edhe turizmi në drejtim të Kosovës, sidomos turizmi malor. Gjatë gjithë muaji dhjetor, pikat turistike të Kosovës kanë qenë të dominuar nga turistë ose familjarë nga Shqipëria si në Grykën e Rugovës, Brezovicë dhe kudo në pikat malore të Kosovës. Gjithashtu, ka pasur një rritje të turistëve të Kosovës sidomos në boshtin Vlorë – Sarandë”, tha Minxhozi.

Po ashtu ai tha se marrëveshjet e arritura mes dy qeverive kanë qenë të suksesshme, sidomos në fushën e ekonomisë. “Një pjesë e mirë e marrëveshjeve kanë gjetur një zbatim, sidomos këto në fushën e ekonomisë. E them këtë jo për hir se duhet thënë që ishin të suksesshme por ka pasur një rritje dhe të e justifikon shifra të larta prej 20 milionë eurosh që ka pasure një rritje. Them që vetëm brenda dy viteve eksporti-importi midis dy shteteve tona ka pasur një rritje 40 për qind, që është goxha e konsiderueshme”, theksoi Minxhozi.

Ai shpreson që gjatë vitit 2016 do të thellohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri. Gjatë vitit 2015, kishte eksporte afër 60 milionë euro, ndërsa im port nga Shqipëria afër 200 milionë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version