Telegrafi

Shkëmbime të pakta tregtare mes Kosovë dhe Italisë

Zhvillimi ekonomik i Kosovës është prioritet i të gjitha prioriteteve dhe në këtë drejtim bashkëpunimi me Italinë është i interesit të veçantë, kështu u shpreh Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), pas një takimi që kishte me Ambasadorin e Italisë në Kosovë Mikele Gjifone.

"Ky bashkëpunim është i natyrshëm pasi që jemi afër gjeografikisht dhe se ka ekzistuar edhe më herët. Sipas vlerësimeve tona bashkëpunimi mes Kosovës dhe Italisë duhet të zhvillohet në nivele shumë më të larta, të mos mbetet vetëm në nivelin e importeve dhe eksporteve te thjeshta por të ngritët në format e avancuara të bashkëpunimit ekonomik", ka thënë Beqaj.

“Pas pavarësisë së Kosovës janë krijuar kushtet e reja dhe shumë të volitshme për bashkëpunim dhe propozoi organizimin e një prezantimit të mundësive të investimit në ekonominë e Kosovës për biznesmenët nga Italia”.

Kryetari i OEK-ut shprehu interesin e ekonomisë kosovare që edhe ndërmarrjet të cilat gjinden në procesin e privatizimit të promovohen edhe në Itali.

Në anën tjetër duke theksuar se Italia është ndër shtetet e para që e kanë njohur Republikën e Kosovës, ambasadori Gjifone theksoi se vendi i tij beson në stabilitetin politik dhe ekonomikë të Kosovës dhe rajonit.

"Kjo mund të ketë kuptim nëse i tërë regjioni ka stabilitet sa më të mirë dhe ky stabilitet i bënë të mundur rajonit që të ketë rrugën drejtë Unionit Evropian. Ky proces do të përcillet me zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit".

Bashkëpunimi ekonomik sipas ambasadorit italian është drejtues i zhvillimit të tërë regjionit.

"Kosova duhet të ketë vizonin e zhvillimit ekonomik për një periudhë sa më të gjatë kohore, të ngërthej në te bashkëpunimin ekonomik me bizneset e huaja, të ketë qasje të hapur dhe afatgjate", tha ai duke shtuar se përfaqësuesit e biznesit nga klasa politike duhet të kërkojnë stabilitet politik dhe infrastrukturë të çartë dhe të qëndrueshme juridike dhe kjo do të bënë të mundur edhe interesimin dhe angazhimin konkret nga investitorët e huaj. /Telegrafi/