Telegrafi

Shkëmbim droge në det të hapur, dalin pamjet e operacionit në Adriatik

Policia e Shtetit ka publikuar detaje nga operacioni “Flakë në det”, i zhvilluar në bashkëpunim me Gdf italiane dhe forcat e Frontex në detin Adriatik, për parandalimin e një tentative për të trafikuar lëndë narkotike.

Policia ka ndërhyrë në momentin kur grupet kriminale po realizonin shkëmbimin e drogës, duke vënë në pranga 6 persona. Sipas Bluve, operacioni nisi kur u konstatua lëvizja me shpejtësi e një mjeti lundrues, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin.

Gomonia u afrua pranë një veliere, ku u bë dhe shkëmbimi i drogës me drejtuesve të dy mjeteve lundruese. Në këtë moment kanë ndërhyrë nga deti agjentët e GDF-së dhe Policisë Kufitare që kanë bërë rrethimin e veleriës.

Por, dy ukrainasit që ndodheshin në veleierë, sapo kanë konstatuar se ishin rrethuar nga policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe kanë tentuar të largohen me një barkë të vogël shpëtimi.

Tentativa e tyre rezultoi e dështuar pasi janë kapur në flagrancë. Në të njëjtën kohë me ndërhyrjen nga deti, efektivët e “RENEA-s” kanë mësyrë në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku kanë arrestuar disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar drogë.

Gjashtë të arrestuarit nga policia dhe SPAK akuzohet për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”.

Policia arrestoi shtetasit Armando Mema, Nerim Çela, Besnik Brokeri dhe dy ukrainasit Kyrylo Ponomarenko dhe Kostiantyn Biellon. /Telegrafi/