Telegrafi

Shkëmbi flet për tri pikët e para si trajner i Ballkanit dhe luftën për titull

Trajneri i Ballkanit, Bledi Shkëmbi ndihet i lumtur me tri pikët e fituara në udhëtim te Besa në kuadër të javës së parë të stinorit pranveror.

Ballkani ka marrë tri pikë të rëndësishme në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, duke e mposhtur pa vështirës ekipin pejan me rezultat 3:0.

Golat për ekipin therandas u shënuan nga Edvin Kuc dhe dy nga Blendi Baftiu, duke bërë që Shkëmbi të vlerësojë këtë triumf si shumë të rëndësishëm.

Lexo po ashtu Ballkani fiton me lehtësi te Besa, vazhdon në ndjekje të Dritës

“Kushtet ishin shumë të vështira, por në futboll pikët janë gjithmonë më të rëndësishmet. Të dy ekipet sot kanë bërë maksimumin”, ka thënë fillimisht Shkëmbi pas ndeshjes.

“Trepikëshi është ai që na jep besimin për të vazhduar kampionatin dhe të arrijmë aty ku duam”.

“Në këto kushte kemi pasur frikë nga dëmtimet në pjesën e dytë, sidomos për faktin që është e vështirë që ekipi të futet në ritëm pas pauzës 15-minutëshe, por e kaluam mirë pavarësisht se patëm disa probleme të vogla”.

“Titulli? Mendoj që do të jetë garë e fortë deri në fund. Shpresojmë të bëjmë më të mirën dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë kundërshtarët”, përfundoi trajneri i Ballkanit. /Telegrafi/