Këngëtari i njohur nga Gjakova, Shkëlzen Jetishi – Xeni, është shoqëruar në stacionin e policisë së Gjakovës, pasi të premten ka shkelur urdhërin e autoriteteve për vetë-izolim.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj, i cili në një prononcim për Telegrafin tha se këngëtari është shoqëruar në polici, është intervistuar dhe pastaj u lirua me procedurë të rregullt.
“Të premten kemi pranuar një informatë se këngëtari Shkëlzen Jetishi ka dalë prej karantimit dhe është parë në qytet. Policia ka vepruar menjëherë, është intervistuar pastaj është informuar edhe prokurori, ndërsa pas intervistimit është liruar me procedurë të rregullt”, ka thënë Gjurkaj për Telegrafin.
Ndërkohë, Jetishi u urdhërua të vetë-izolohej, pasi ishte parë afër këngëtarit tjetër nga Gjakova Muhamet Sejdiu, i cili rezultoi pozitiv në testin për COVID-19.
Përveç këngëtarit të mirënjohur, Gjurkaj njoftoi se për shkeljen e urdhërit për izolim, policia në Gjakovë ka shoqëruar edhe dy persona të tjerë.
Përndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (ikshpk) ka konfirmuar sot se ka ndërruar jetë një pacient i infektuar me coronavirus, duke shënuar rastin e parë në vend. /Telegrafi/