Shkëlzen Gashi shkëlqeu në sezonin e tij të parë në kampionatin amerikan të futbollit.
Në një analizë të kanalit të njohur “Fox Sport”, lojtari i Kolorados është renditur edhe më lart se një prej sulmuesve më të mirë të dekadës së fundit, Didier Drogbas. Gashi këtë edicion realizoi dhjetë gola për ekipin nga Denver.
Sezoni i Shkëlzen Gashit në “Major League Soccer” përfundoi në ‘Play-Off’ kur skuadra e tij Colorado Rapids u eliminua nga Seattle Sounders. Megjithatë ky edicion mund të cilësohet si mjaft pozitiv për lojtarin kontingjent të përfaqësueses shqiptare.
Sulmuesi 28-vjeçar në shumë takime ishte vendimtar për ekipin nga Denveri madje duke realizuar edhe gola spektakolar, ku mund të përmenden goditja e dënimit ndaj Vancouverit apo supergoli i shënuar përballë Los Angeles Galaxy.
Paraqitjet e tij janë vlerësuar jo pak herë nga mediat vendase dhe tifozët e skuadrës së Colorados që në disa raste e kanë votuar si lojtarin më të mirë. Tashmë që sezoni është drejt mbylljes në SHBA ku mbetet të luhet vetëm finalja mes Torontos dhe Seattle, një ndër mediat kryesore sportive “Fox Sports” ka rreshtuar 50 futbollistët më të mirë të këtij edicioni, transmeton oranews.
Lojtari shqiptar renditet në vendin e 19-të duke lënë pas një prej sulmuesve më të mirë të dekadës së fundit, Didier Drogban, i cili këtë edicion u aktivizua me ekipin e Montreal Impact. Ndërkohë Gashi në 27 ndeshje të zhvilluara gjeti rrugën e rrjetës në 10 raste. Përsa i përket futbollistit më të mirë, Fox Sport kish përzgjedhur sulmuesin e Torontos, ish lojtarin e Juventusit e Parmës në Serinë A, Sebastian Giovincon. 29 vjeçari është pika kryesore e referimit për ekipin nga Canadaja që do të luftojë për triumfin final përballë Seattle Sounders.