Telegrafi

Shkëlqimi i Avdijajt në Wolfsburg

21-vjeçari i cili është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U21, ka treguar paraqitje të mira me ekipin e dytë të Wolfsburgut këtë edicion, duke ia shtuar gjasat vetës që vitin e ardhshëm të futet në skuadrën e parë.

Sulmuesi me prejardhje nga Gjakova, ka luajtur në 26 takime me Wolfsburgun në Regional Liga Nord, ku ka shënuar 11 gola dhe ka dhuruar pesë asistime për shokët e skuadrës, duke u renditur në pozitën e dytë të golashënuesve të klubit.

Në një prononcim për Telegrafin, Albion vdijaj flet për formën e tij të mirë këtë edicion, si dhe për të ardhmen e tij, e cila mund të jetë në skuadrën e parë të Wolfsburgut.

“Kam kaluar një vit mjaftë të mirë te Wolfsburgu II që prej transferimit tim këtu. Kam shënuar disa gola dhe erdhi një lëndim që më la jashtë fushave për një muaj, për tu rikthyer tani ku ia fillova të shënoj përsëri”, tha fillimisht Avdijaj.

“Të shënosh 11 gola nuk është pak dhe për këtë më kanë vlerësuar të gjithë. Synimi im është që vitin tjetër të jem pjesë e skuadrës së parë ku stërvitem me ta pothuajse çdo ditë, por nuk përjashtohet mundësia që të transferohem edhe tek ndonjëra nga skuadra e Bundesliga 2, pasi kam disa oferta interesante”, deklaroi Avdijaj për Telegrafin.

Ai foli edhe për Kombëtaren e Shqipërisë ku aktivizohet me grupmoshat U21.

“Jam i lumtur që e barti fanellën e Shqipërisë dhe do ta jap maksimumin në çdo takim që do të luaj. Për mua është nder që luaj për Kombëtaren dhe shpresojmë se do të kemi paraqitje të mira”, përfundoi Avdijaj. /Telegrafi/