Partia për Veprim Demokratik (PVD), dikur gëzonte statusin e një lëvizjeje me karakter popullor, mirëpo më vonë kur u ngjit shkallëve të pushtetit lokal dhe republikan, filloi të rrudhet dhe të tkurret si kërmilli në guaskën e vet.
Pse një subjekt kaq i shtrirë politikisht dhe kaq me ndikim në skenën politike shqiptare të Luginës së Preshevës, të zvogëlohet dhe të katandiset si mos më keq?!
PVD gati me një përvojë 20 vjeçare, bartëse e shumë projekteve kapitale për afirmimin dhe avancimin e çështjes shqiptare jo vetëm në Luginë, por edhe në rajon, po përjeton krizën më të thellë të politike, që nga themelimi i saj.
Arsyet e parcilaizimit të subjektit të parë politik në rajonin e Luginës së Preshevës janë të shumta dhe të kuptueshme.
Lideri i PVD-së, Riza Halimi, deri sa nuk u bë kryetar komune në Preshevë, mbante korrespodencë të rregullt me subjektet e tjera shqiptare në hapësirat e ish Jugosllavisë, mirëpo më vonë ofiqet pushtetare, e batallisën prej aktiviteteve ndërrajonale. Ai, për shumë mandate, qëndroi në krye të prefekturës së Preshevës, pastaj për dy mandate në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Serbisë si dhe për rreth dy decenie në krye të PVD-së.
Vrapimi pas posteve të larta shtetërore dhe karrieriste Riza Halimin e verbëroi politikisht, duke e futur shpesh në telashe rreth shkarkimeve të anëtarëve të kryesisë së PVD-së, të cilët mendonin nganjëherë ndryshe kryetarit të tyre.
Riza Halimi, nuk lejonte askush t’i përzihej në punët e brendshme të partisë. Vetë jepte propozime dhe vetë i aprovonte ato. Ata të cilët provonin t’ia përzienin qullin, ai, i largonte pa pardon.
Çdo spastrim politik në radhët e PVD-së shkaktonin plasaritje, ndarje dhe krijime të partive të reja. Kështu nga shkëputjet e aktivistëve të PVD-së u formuan shumë parti politike, numri i të cilave arrin në pesë-gjashtë.
Rizaja këto ndarje i shikonte si diçka normale, deri sa një ditë u zhvesh nga qeverisja lokale në Preshevë. Kalimi i PVD-së në Preshevë si opozitë, filloi të reflektohet edhe në Komunën e Bujanocit.
Ndarja e Degës së PVD-së në Bujanoc dhe krijimi i partisë së re me emrin Partia Demokratike, i jep fund karakterin pozitar të këtij subjekti politik. Kështu ndodhi edhe me Bashkimin Demokratik të Luginës e cila në Preshevë u shkëput nga PVD, duke e flakur atë në opozitë.
Dalja e mundshme e PVD-së edhe në Bujanoc në opozitë, të kujton partitë e para shqiptare si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Prosperiteti në Maqedoni, të cilat thjesht kanë mbetur vetëm parti opozitare. Të njëjtin fat po e pëson e PVD-ja e cila falë menaxhimit të dobët dhe kryeneçësisë së Riza Halimit, po shkatërrohet me themel.
Nuk mbahet artificialisht një subjekt politik si PVD, kur liderët e saj të mbushur haram, dallavere dhe korrupsion, po mundohen t’i qesin hi syve popullatës së Luginës së Preshevës, duke akuzuar Beogradin dhe disa parti politike shqiptare se po e dëshirojnë shuarjen e saj.
Jo, jo PVD, po shkatërrohet nga momenti kur liderët e saj në krye me Riza Halimin filluan të joshen me privilegjet pushtetaret, tenderët dhe fondet republikane, të cilat ata vetë i fitonin dhe vetë i shpërdornin.
Krijimi i Këshillit Nacional nga PVD-ja, ia vuri kapakun rrëfimin për partinë më të madhe në Luginë. Ky Këshill Nacional ia hëngri kokën PVD-së dhe shumë aktivistëve të saj, të cilët një ditë do të ngelin pa pushtet dhe pa autoritet, ashtu siç ishin edhe para kyçjes së tyre në këtë subjekt politik, fundi i të cilit është i sigurt.