Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”.
Këtë javë ky çmim i ka takuar futbollistit të FC Malisheva, Bleart Tolaj. Vlerësimi për futbollistin më të mirë të javës së 3-të është bërë nga komisioni në përbërje: Berat Berisha nga KFV Llapi, Flamur Sinani nga KFV Rilindja dhe Visar Aliu nga KFV 2 Korriku.
Komisioni vlerësoi se Tolaj ishte më i merituari për fitoren që FC Malisheva e arriti kundër Ferizajt, me rezultat 3:1. Përveç golit të shënuar në minutën e 77-të, ai, gjithashtu gjatë tërë ndeshjes ishte protagonisti kryesor në lojë dhe kreator i disa rasteve tjera.
Çmimin “Ylli i Javës” futbollistit të Malishevës ia dorëzoi menaxherja e marketingut në Albi Mall, Fitore Osmani Muhaxhiri.
Pas marrjes së këtij çmimi, Tolaj u shpreh i lumtur:
“Ndihem shumë mirë për këtë vlerësim dhe dua t’i falënderoj stafin teknik dhe bashkëlojtarët e skuadrës, pa të cilët sigurisht se nuk do të mund ta fitoja këtë çmim. Shpresoj që ky të mos jetë çmimi im i fundit në këtë edicion. Synimet e Malishevës janë të qarta. Shpresojmë në rezultate të mira në vazhdim të kampionatit dhe të përfundojmë në pjesën e epërme të tabelës, dhe pse jo edhe të jemi pjesë e garave evropiane”, tha Tolaj. /Telegrafi/