Site icon Telegrafi

Shkëlqeu në fitoren e Malishevës, Arlind Veliu më i miri i javës së tetë në Superligë

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”.

Ky çmim për javën e tetë në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Arlind Veliu.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e tetë t’i takojë Veliut, i cili për 90 minuta ishte lojtari më i vlefshëm i skuadrës së tij. Ndonëse mbrojtës i krahut, ai shënoi një nga tre golat për fitoren e FC Malishevës në transfertë kundër FC Suharekës (1:3), kështu duke marrë kreun e tabelës.

Pasi mori këtë çmim, Arlindi u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “E kemi analizuar ndeshjen me Suharekën, e cila ka pasur një ecuri të mirë, dhe kemi arritur të përmbysim rezultatin. 20 minutat e para nuk ishim të koncentruar dhe Suhareka na krijoi disa raste, por me kalimin e kohës morëm lojën në dorë dhe e kthyem rezultatin.Objektivi ynë është të jemi në Evropë, por kemi lojtarë shumë të mirë dhe mund të dalim kampion”.

“Kemi një ekip shumë stabil, kemi lojtarë të talentuar dhe një përbërje të shkëlqyer. Shpresojmë që të arrijmë objektivin tonë në fund. Jo vetëm unë, por të gjithë ekipi jemi në formë të mirë dhe shpresojmë që të mbajmë këtë formë deri në fund. Ky çmim nuk është vetëm im, por i gjithë bashkëlojtarëve dhe shtabit teknik që më kanë dhënë mundësinë të paraqitem mirë në çdo ndeshje. Shpresoj që të gjithë lojtarët e Malishevës të marrin këtë çmim.” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version