Nacho Fernandez është një legjendë e vërtetë e Real Madridit, pasi kapiteni i Los Blancos ka kaluar 12 sezone si lojtar në ekipin e parë, edhe pse debutoi në vitin 2011 nën drejtimin e José Mourinhos.
Sezonin e kaluar dukej se kishte vendosur t’i jepte fund qëndrimit te Real Madridi, por në fund zemra e bëri që të tërhiqej në momentin e fundit.
Dymbëdhjetë muaj më vonë, historia përsëritet, por tani ai ka shkuar më tej duke u thënë drejtuesve të klubit se ideja e tij është të mos vazhdojë. Madje ia ka konfirmuar këtë gjë edhe presidentit, Florentino Perezit.
Gjithçka mund të ndryshojë siç ndodhi vitin e kaluar, por vendimi duket se është marrë.
Për të kishte disa skuadra të interesuara, veçanërisht Interi. Ideja për të luajtur për një ekip tjetër në kampionatin spanjoll nuk i ka shkuar kurrë në mendje.
Këtë sezon ai ka luajtur 29 ndeshje dhe ndonëse nuk do të arrijë në 44 të një viti më parë, shifrat e tij do të jenë shumë afër.
Pas një fillimi të vështirë dhe me shumë zëvendësime, ai ka treguar edhe një herë se është një mbrojtës i besueshëm dhe një kapiten shembullor. /Telegrafi/