Ferizaj e ka shënuar një fitore të madhe ndaj Trepçës ’89, 1:0, në kuadër të xhiros së 10-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra ferizajase i është gëzuar këtij trepikëshi vetëm në fund, falë golit të realizuar nga Shkumbin Salihu në minutën e 86-të, pas një kundërsulmi të shpejtë.
Një minutë më parë, ‘Xehetarët’ e lëshuan mundësinë më të mirë të ndeshjes me anë të Elvis Osmanit. Falë këtij trepikëshi, ekipi i Bylbyl Sokolit e mori kreun e tabelës, të cilin e ndan së bashku me Llamkos Kosovën.
Hysi – Drenica 1:1
Drenica e ka vazhduar serinë e mirë, duke e ndalur Hysin në Merdarë. Madje, skuadra kuq e zi kaloi e para në epërsi përmes Granit Arifajt, i cili e mori një top të mirë nga Dukagjin Gashi, në minutën e 31-të.
Mirëpo, skuadra bardh e zi, pas përpjekjeve të shumta, ia doli ta barazojë rezultatin në minutën e fundit përmes Përparim Livorekës.
Ky barazim ia pamundësoi Hysit që ta marrë sërish lidershipin në Superligë, kurse Kuqezinjtë e vazhduan serinë e mirë të rezultateve, nën drejtimin e Afrim Jasharit.
Hajvalia – Trepça 1:0
Hajvalia e regjistroi një fitore me rezultat minimal, por shumë të rëndësishme në duel me Trepçën, për t’i ikur sadopak pjesës së poshtme të tabelës.
Erdin Hashani ishte hero i skuadrës prishtinase duke e shënuar golin e fitores në minutën e 46-të, pas një harkimi të bukur të Festim Krasniqit. ‘Xehetarët’ e pësuan humbjen e katërt të sezonit.
Ferronikeli – Fushë Kosova 1:1
Ferronikeli dhe Fushë Kosova i kanë ndarë pikët, në përballjen e zhvilluar në stadiumin Bajram Aliu. Skuadra drenicase ka qenë më e mirë, duke shënuar disa raste, ndërsa vlen të përmendet shtylla, të cilën e qëlloi Fatih Karahoda.
Por, atë që nuk e bënë vendësit, e bënë mysafirët, kur në minutën e 87-të Fitim Krasniqi shënoi nga gjuajtja e lirë. Kur mysafirët mendonin se do të kthehen në shtëpi me tri pikë të plota, vendësit i barazuan shifrat në minutat shtesë të lojës përmes zëvendësuesit Agron Ramadani. Këto dy skuadra mbeten në pjesën e poshtme të tabelës, pas këtij barazimi. /Express/Telegrafi/
Raiffeisen Superliga
Tabela
1. Ferizaj 18 pikë
2. Llamkos Kosova 18
3. Hysi 18
4. Prishtina 16
5. Hajvalia 14
6. Drenica 14
7. Drita 13
8. Trepça ’89 13
9. Besa 13
10. Trepça 12
11. Ferronikeli 9
12. Fushë Kosova 7