Telegrafi

Shkeljet në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkohen përgjegjësit (Video)

Shërbimet juridike të ministrisë së Shëndetësisë kanë marrë në shqyrtim raportin e Revizionit shtetëror i cili konstatoi një sërë parregullsish në punën e këtij dikasteri gjatë vitit 2017-të. Në këtë periudhë Shëndetësia udhëhiqej nga ish ministri Nikolla Todorov si dhe një kohë të shkurtër nga Arben Taravari. Ekipi juridik pritet të dalë nesër me konstatim se kush dhe çfarë përgjegjësie do të ketë për lëshimet e bëra.

Në raportin e Revizionit Shtetëror të publikuar një ditë më parë konstatohej shpenzimi i parave nga buxheti i Ministrisë pa dokumentacionin e duhur. Gjatë vitit 2017 Shëndetësia kishte paguar 5,823 milion denarë për angazhimin e 16 personave me kontratë në vepër. Angazhimin e 47 personave të tjerë për të cilët janë paguar 6,833 milion denarë pa dokumentacion nëse këta persona ndonjëherë janë paraqitur në vendin e tyre të punës, e as që kanë ekzistuar në aktin e sistematizimit për një vit të tërë.

Po ashtu revizioni kishte konstatuar se në kuadër të programit për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, dikasteri i Shëndetësisë kishte paguar mjekë të huaj në vlerë prej 40 milion denarësh për aktivitete të cilat nuk kanë zgjatur më shumë se 8 ditë, ndërkaq marrëveshja parashihte angazhim një mujor të tyre.

Revizorët kishin evidentuar gjithashtu se ministria ka ndarë mjete të pa mjaftueshme buxhetore për pacientët me sëmundje të rralla. Terapi është siguruar vetëm për 130 pacientë ndërkaq nevoja ka qenë shumë më e madhe. Parregullsi ishin konstatuar edhe në programin për mbrojtjen e personave nga sëmundjet që shkaktojnë varshmëri si dhe në programin për pengimin e përhapjes së tuberkulozit etj./Alsat/