Që nga fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është vërejtur gjuhë nxitëse dhe e urrejtjes mbi baza politike, si në tubime por edhe në komente në platforma online.
Kështu të paktën ka vlerësuar rrejti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim. Si rrjedhojë e kësaj klime të krijuar, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka shqiptuar me mijëra euro dënime për subjektet politike që kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes.
Një ditë më parë PZAP ka publikuar gjobat e radhës që ka shqiptuar ndaj subjekteve politike.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është dënuar me 2 mijë euro gjobë pas ankesës së parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me vendosjen e flamurit të AAK-së në oborrin e shkollës “Emin Duraku” në Shtime.
LVV ka dorëzuar edhe katër ankesa ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është dënuar nga PZAP më 16 mijë euro.
Lëvizja Vetëvendosje më 3 shkurt kishte dorëzuar ankesat në PZAP lidhur me disa postime të bëra në rrjetet sociale nga disa mbështetës të PDK-së ku është përdorur gjuhë ofenduese dhe urrejtëse.
Dënimit nga PZAP nuk i ka shpëtuar as Koalicioni Vakat i cili është dënuar më 1500 euro, pas ankesës së dorëzuar nga Socialdemokratskan Unija (SDU).
Sipas vendimit të PZAP-së, subjektet politike të cilat janë gjobitur, obligohen që dënimin ta paguajnë në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi. /Telegrafi/