Janë identifikuar mangësi serioze për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut të të burgosurve, por gjithashtu është thelluar edhe më tej fenomeni i korrupsionit dhe favorizimit nëpër burgje të Kosovës.
Kështu vlerësoi përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Kosovë, Tomas Gnocch, sot në konferencën për promovimin e projektit “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të burgosurve në Kosovë”, projekt ky i financuar nga KE.
Gnocch theksoi se puna për drejtësi do të fokusohet në të drejtat e të burgosurve, përfshirë të drejtat e njerëzve, shëndetin e të burgosurve, sigurinë dhe trajtimin e tyre.
Sipas një monitori të realizuar nga Komiteti për Parandalimin e Torturës në vitin e kaluar dhe ka evidentuar se ekziston një kufizim serioz për stafin mjekësor korrektues dhe po ashtu mungesë e rehabilitimit shoqëror për të burgosurit.
“Edhe pse situate është përmirësuar krahasuar me vitin 2010, vitin e kaluar Komiteti ka identifikuar mangësi serioze lidhur me shkeljen e të drejtave të të burgosurve. Në shumë aspekte situata mbetet e njëjtë, dhe në shumë aspekte tjera edhe është përkeqësuar, sidomos në aspektin e korrupsionit dhe favorizimit. Për më tepër ekziston një kufizim serioz për stafin mjekësor korrektues dhe po ashtu mungesë e rehabilitimit shoqëror për të burgosurit”, tha Gnocch.
Drejtori Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, tha se trajtimi i të burgosurve bëhet gjithnjë duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut, ngase është e garantuar me konventat ndërkombëtare, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe ligjet në fuqi. Sipas tij, mbrojtja e të drejtave të njeriut paraqet bazën e funksionimit të çdo shoqërie dhe të çdo shteti.
“Vetëm duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut ne mund t’u ofrojmë qytetarëve tanë siguri juridike dhe të forcojmë sundimin e ligjit. Kur flasim për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të njeriut vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet të drejtave të burgosurve si kategori e veçantë. Ministria e Drejtësisë, respektivisht Shërbimi Korrektues janë të përkushtuar që të jetë gardiani i këtyre të drejtave për të gjithë të burgosurit duke respektuar kushtetutën dhe legjislacionin e vendit, si dhe konventat evropiane”, tha Zogaj.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se në Kosovë që nga 22 maj 2014, me hyrjen në fuqi të Ligjit për shëndetësi, është bërë transferi i plotë i shërbimeve shëndetësore të burgjeve nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Shëndetësisë. Me këtë akt, ai tha se Kosova është vendi i vetëm në Evropën juglindore që ka përfunduar një proces të tillë. Me këtë transfer, Sadiku tha se MSh ka marrë përgjegjësi edhe më të mëdha për kundër sfidave tjera që ka sistemi shëndetësor në vend.
“I kemi kushtuar rëndësi të veçantë shërbimit shëndetësor të burgjeve, si në aspektin mbështetës ligjor, ashtu edhe atë funksional dhe në vazhdimësi duke mundësuar trajtim ekuivalent të të burgosurve njëjtë sikur qytetarëve të tjerë përmes stafit profesional, të licencuar, të trajnuar dhe të specializuar… Trajtimet specifike të të burgosurve me prioritet bëhet në Njësitë shëndetësore, brenda burgjeve, institucionet publike, jashtë institucioneve publike, madje, edhe jashtë vendit për rastet që ka pasur indikacione dhe për të cilat në aspekte ligjore ka qenë e lejuar”, tha Sadiku.
Ai tha se të gjithë të burgosurit në Kosovë, sipas ligjit për sigurime shëndetësore marrin falas të gjitha shërbimet shëndetësore brenda dhe jashtë burgut.
Sadiku tha se furnizimi me barna dhe pajisjet mjekësore nëpër burgje është i veçantë dhe trajtohet me prioritet në funksion të mbështetjes së vazhdueshme dhe evitimit të mungesave.
Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut(KMDLNj), Behxhet Shala, theksoi se nga monitorimet që kanë bërë, Kosova ka një gjendje më të mirë nëpër burgje, krahasuar me vendet e rajonit.
Shala po ashtu tha se ky projekt i BE-së i prezantuar në vija të trasha nuk pritet të sjell ndonjë rezultat në përmirësimin e gjendjes nëpër burgje.
“Kosova për dallim prej shteteve të rajonit në shumë sfera qëndron më mirë se sa shtetet tjera… ju përmendet se kush mund të jetë përfitues, por as që përmendet shoqërinë civile. Mund të them se shoqëria civile, e cila e bënë monitorimin e burgjeve ndoshta janë edhe më të fuqishëm dhe janë më kompetent se shumë faktor që u përmenden këtu”, tha Shala.
Shefja e Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabella Servoz-Gallucci, tha se do t’i mbështetin për trajtim raportet në aspektin e heqjes së lirisë, ku janë identifikuar mangësi të shumta për të burgosurit. Projekti “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të burgosurve në Kosovë”, është i bashkë financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli Evropian, si pjesë e objektivit horizontal për Evropën Perëndimore dhe Turqinë, i cili do të implementimet nga Këshilli Evropian dhe fokusohet në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, krimeve ekonomike dhe krimeve të organizuara, luftimin e diskriminimit, dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve të caktuara.