Telegrafi

Shkeli orën policore, gjobitet ministri Selim Selimi

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi është gjobitur sot nga Policia e Kosovës pasi që nuk e ka respektuar vendimin për kufizimin për lirinë e lëvizjes.

Këtë e ka bërë të ditur vet në llogarinë e tij në Facebook, i cili ka thënë se do ta paguajë dënimin.

Selimi ka thënë se Kosova ka një polici të respektuar dhe dënimi i shqiptuar ndaj tij dëshmon se në shtetin tonë askush nuk është mbi ligjin.

“Është i vërtetë lajmi që sot jam dënuar për thyerje të masave qeveritare për pandeminë. Edhe pse sipas pikës 25.1 të vendimit për masa për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, nga kufizimi i lëvizjes pas orës 19:00 janë të përjashtuar personeli i drejtësisë, kam pranuar ta paguaj dënimin, për shkak të sjelljes profesionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Gentianit dhe ekipës së tij”, ka shkruar Selimi.

Kujtojmë që Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kufizojë lirinë e lëvizjes në Prishtinë nga ora 19:00 deri në ora 05:00 si masë parandaluese për përhapjen e Covid-19.