Telegrafi

Shkelësi më i madh i kontratës “Hoteli Grand”

Përfaqësuesit e Agjencisë kosovare të Privatizimit, thanë se procesi i privatizimit po shkon siç duhet dhe se tashmë janë në fazën e fundit të procesit të likuidimit të ndërmarrjeve të privatizuara.

Formimi i ndërmarrjeve të reja të privatizuara dhe pagesa e 20 %, nga shitja e ndërmarrjeve, tashmë iu është paguar 1 mijë punëtorëve.

Mirëpo, çështje që pengon punëtorët e kësaj agjencie është djegia e dokumenteve nga zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit.

“Ne nuk mund të paragjykojmë se a mungon ndonjë dokumentacion, çka është djegur apo çka është dëmtuar. Por, mos të kishte ndodh ajo që ka ndodhë me Agdën dhe Zanierin, ne nuk kishim mundur ta merrnim dokumentacionin e bordit”, thotë kryetar i Bordit të AKP-së, Dino Hasanaj.

Zëvendësdrejtori i privatizimit, Shkëlzen Bici, tha se ndërmarrja më diskutabile në procesin e privatizimit është “Ramiz Sadiku”, derisa për shkelje të kontratës njihet “Hoteli Grand” në qendër të Prishtinës.

Sipas zyrtarëve ndërmarrjet si Ferronikeli, Birra e Pejës dhe Silosi në Xerxe i kanë tejkaluar investimet.

Edhe mosfunksionimi i Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme shkakton probleme në procesin që lidhet me privatizimin.

Ndërsa, sa i përket Trustit Pensional të Kosovës, udhëheqësit thanë se në tre mujorin e fundit të vitit të kaluar janë humbur 41 milion euro.

Emërimi i anëtarëve të bordit të këtij mekanizmi është i domosdoshëm dhe ata i bënë thirrje Qeverisë që të përshpejtojnë procedurat për emërimin e këtyre anëtarëve.