Site icon Telegrafi

Shkelen të drejtat e njeriut, por ne heshtim

Pierluigi Battista

Do të duhej të protestonim për dënimin me burgim të përjetshëm të gjashtë shkrimtarëve dhe gazetarëve, në përfundim të një procesi-farsë në Turqi. Por, nuk e bëjmë, nuk na leverdis, nuk ka aq rëndësi për ne. Ndjeshmëria jonë kundrejt mbrojtjes së të drejtave njerëzore është mekur deri në zhdukje, e gëlltitur nga rregullat, hipokrizitë dhe cinizmi i realizmit politik.

Qeveritë evropiane duhet ta mbajnë mirë me Erdoganin, i paguar pa asnjë kursim për të mbajtur të mërguarit nga Siria e, sigurisht, nuk mund të tronditen nga padia dramatike e një të përndjekuri të regjimit turk, Ahmet Altan, të shprehur në librin “Nuk do të shoh më botën”, të botuar në Itali nga Solferino. Dhjetëra mijëra nëpunës shtetërorë janë hequr nga puna me pretekstin e një pjesëmarrjeje të hamendësuar në grushtin e shtetit të dështuar të viti 2016. Por të gjithë ne bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, institucionet evropiane, të munguara e të mbyllura në një plogështi që do të duhej të bënte të turpërohej një Evropë, që vetëquhet e çimentuar në mbrojtjen e vlerave të padiskutueshme, dhe një opinion publik, tashmë i narkotizuar mbi dhunimet e lirisë politike më fillestare në Vendet shumë pranë nesh. Madje pothuajse lëshojmë një psherëtimë lehtësimi kur gjykatat egjiptiane, qole të diktaturës “laike”, shpërndajnë dënime kapitale si shi përfaqësuesve të Vëllezërve myslimanë.

Jemi edhe të gatshëm të mënjanojmë çështjen Regeni për të mbajtur marrëdhënie të mira me Kajron: a nuk është Egjipti një ledh në luftën kundër fanatizmit të errët islamik? Po masakruesi i popullit sirian, Asadi, i përkrahur nga Putini, a nuk është “e keqja më e vogël” për ta lënë të qetë në luftën kundër ISIS-it? A duhet të prekemi për fatin tragjik të popullit kurd, të treguar në këto faqe nga Lorenzo Cremonesi, i cili pikërisht në luftën kundër Shtetit islamik ishte në radhën e parë? Në logjikën e hekurt të realizmit politik a mos duhet vallë të kundrojmë nderimin e një ndjenje të vjetruar siç është mirënjohja?

Jemi përkeqësuar. Të gjithë: të djathtë e të majtë, sovranistë e demokratë, klasë drejtuese e popull, pa dallim. Të gjithë të bashkuar në parimin e vetëm të cilin e respektojmë me të vërtetë: qetësinë tonë. Kasaphana siriane, pasojat e së cilës na lëpinë deri sa na bënë të humbasim gjumin dhe kontrollin, na ka kthyer në të pandjeshëm ndaj masakrës së të drejtave njerëzore, të ecjes së pakundërshtuar të diktaturave të egra, me të cilat duam të ruajmë marrëdhënie të qëndrueshme e “të qeta” mos ndërhyrjeje të ndërsjellë. Kohët e “ndërhyrjes njerëzore”? Janë arkivuar. Institucionet ndërkombëtare vidhosen në pafuqinë e tyre më prekëse.

Kombet e Bashkuara, robe të satrapëve e tiranëve, caktojnë në komisionet e tyre për të drejtat njerëzore përfaqësues regjimesh që, me të drejtat njerëzore, kryejnë një masakër sistematike. Na bëjnë përshtypje pamjet e torturave që kryhen në qendrat libike të grumbullimit të mërgimtarëve, por OKB nuk bën asgjë që ato fëlligështira të mos ndodhin më. Evropa as që flet: të vetmet fjalë të thëna nga komisarja evropiane për çështjet e jashtme, Federica Mogherini, janë të frymëzuara nga ideja e saj e ngulur kundërizraeliane dhe nga mbrojtja e teokracisë iraniane, ku gratë, njëlloj siç ndodh në Arabinë Saudite, janë të përndjekura e të dënuara në një gjendje të detyrueshme nënshtrimi dhe shtypjeje. Mësojmë tani, se në Irakun e çliruar nga vrasësit e Isis-it, gratë që guxojnë të përcjellin foto të tyre të lira në Instagram kërcënohen dhe vriten, por ne nuk jemi në gjendje as të na bëjnë përshtypje më lajme të tilla.

Të drejtat e njeriut të shkelura nuk njohin gjeografinë. Përsëriten të njëjta edhe në kontekste të tjera, siç mbetet e njëjtë edhe mospërfillja jonë. Mbas padisë bujare të Papës Françesku kemi harruar fatin e Rohingjave, popullsia myslimane e masakruar nga ushtria e Aung San Suu Kyi, në mënyrë të pabesueshme e dekoruar me më të pamerituarin Nobel për paqen. Ende sot mbetet i veçuar guximi i Angela Merkel që sfidoi zemërimin e Pekinit, duke i shtrënguar dorën Dalai Lamës, përfaqësues i një populli, atij tibetian, ende i shtypur në heshtjen e botës. Vlera universale e të drejtave njerëzore, gjithnjë në qendër të fjalimeve zyrtare, është nxjerrë jashtë nga rendi i ditës i qeverive dhe nga zemra e opinioneve publike. Edhe njëherë përndjekjet e Erdoganit do të mbeten të pandëshkuara, e vetmja siguri, tepër e trishtueshme. /Corriere della Sera/ E përktheu: Eugjen Merlika/

Exit mobile version