Telegrafi

Shkelën perimetrin e sigurisë, bllokohen 35 mjete lundruese nga Ksamili në Koman

35 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Koman në kuadër të operacionit “Siguria detare”. Bëhet fjalë për 20 jet ski, 8 skafe, 5 gomone dhe 2 varka metalike. 26 mjete janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, 6 të tjera nga Durrësi në Shëngjin, 1 në Velipojë ndërsa 2 varka metalike në Koman.

Sipas policisë, 9 prej mjeteve lundruese janë konstatuar nga policia kufitare dhe njësitë policore detare duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, shkelje e cila rrezikonte jetën e pushuesve.

Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masë administrative prej 100,000 lekësh të rinj.

Drejtuesit e 26 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan secili me masë administrative prej 10,000 lekësh për mungesë dokumentacioni.

Po gjatë kësaj jave, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare iu kanë dhënë ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 9 raste në hapësirën detare nga Ksamili në Koman.

Në shumicën e rasteve, turistëve ju rrezikohej seriozisht jeta për shkak të prishjes së mjeteve lundruese apo pamundësisë për t’u kthyer në breg për shkak të dallgëve./abcnews.al/