Telegrafi

Shkatërrohet ura në Kalabri shkaku i ujërave të zeza, Komuna e Prishtinës dërgon në prokurim punëkryesin

Ka ditë që ura në Rrugën “Rexhep Krasniqi” në lagjen Kalabria në kryeqytet është bërë e pakalueshme për vetura. E këmbësorët mund të kalojnë falë një dere të shtrirë aty nga banorët e lagjes.

Ujërat e zeza vazhdojnë të rrjedhin rrëmbyeshëm në urën e përgjysmuar, ndërkaq kundërmimi është i padurueshëm.

Pavarësisht ankesave për këtë gjendje, ekipi i RTV Dukagjini nuk hasi në ndonjë banor të gatshëm të prononcohet para kamerës.

E, Komuna e Prishtinës thotë se ura është dëmtuar shkaku i moskryerjes së punimeve nga kompania e kontraktuar, që kishte për obligim ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza.

“Punët janë ndërprerë për shkak të shpronësimeve, ka probleme pronësore në atë pjesë. Megjithatë, pjesa afër urës nuk e ka këtë problem dhe ne i kemi bërë presion të vazhdueshëm kompanisë dhe e kemi paralajmëruar se nëse nuk vazhdon me punime së paku te pjesa e urës, do t’i shkëputet kontrata”, tha për RTV Dukagjinin Adonis Tahiri, përcjell Telegrafi.

Zëdhënësi i Prishtinës, Adonis Tahiri tha se Komuna këtë çështje tashmë e ka dërguar në prokurim.

“Tanimë ne e kemi dërguar çështjen në prokurim dhe do të shkëputet kontrata. Jemi në procedurë. Në atë segment pa u rregulluar kolektori nuk mund të ndërtohet ura”, tha më tej Tahiri.

Sipas Tahirit pas zgjidhjes së çështjes së prokurimit, do të rinis puna për rregullimin e kolektorit të ujërave të zeza dhe urës në Kalabri. /Telegrafi/