Guardia di Finanza ka shkatërruar të mërkurën një grup kriminal korrierësh heroine i përbërë nga pakistanezë.
Siç raportojnë mediat italiane, korrierët fillimisht e gëlltisnin lëndën narkotike dhe pastaj e transportonin nga Greqia dhe Spanja drejt Italisë.
Në pranga kanë rënë 31 persona, ndërsa pasuritë që u janë sekuestruar kapin vlerën e gjysmë milioni euro.
Goditja ndaj grupit kriminal erdhi pas dy vitesh hetime. Operacioni antidrogë zgjati 24 orë dhe në të u përfshinë të paktën 150 efektivë, përcjell oranews.tv.
Si kryhej transporti
Transportuesit pakistanezë gëlltisnin kapsulat e vogla të heroinës dhe udhëtonin nga Greqia drejt Italisë me avion.
Sapo mbërrinin në aeroportin e Romës apo të Napolit, Firences, Milanos dhe Pizës, ata i prisnin anëtarët e tjerë të organizatës, gjithashtu Pakistani, të cilët i merrnin korrierët e drogës dhe i dërgonin në destinacione të ndryshme, kryesisht në Italinë veriore.
Me të njëjtën metodë, heroina u transportua dhe nga Spanja në Itali.
Sasitë e transportuara në çdo rrugë nga një korrier me teknikën “body paker”, shkonin nga 400 në 700 gram, ndërsa një kapsulë sipas një oficeri italian që mori pjesë në operacion kishte një peshë prej rreth 10-15 gram.
Grupi gjithashtu mësohet se përdorte dhe stacionet e trenit.
Sipas autoriteteve italiane, një nga drejtuesit e kësaj organizate kriminale raportohet të jetë një pakistanez në Athinë, i cili është duke u hetuar, ndërsa tre bashkëkombas të tij, gjithashtu drejtues të grupit, janë arrestuar në Itali.
Pakistanezi në Greqi mësohet se rekrutonte transportuesit dhe merrej me nisjen e tyre drejt Italisë.
Sa i përket origjinës së heroinës, sipas të dhënave që disponon policia italiane, raportohet të kenë ardhur nga Pakistani dhe Afganistani.
Policia italiane vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës.