Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë ka publikuar shkatërrimin e dy kolonave në Parkun Apoloni-Bylis. Për këtë ka reaguar edhe arkeologu Neritan Ceka, i cili e quan një akt të paprecedentë që është mbajtur i fshehur.
“Kjo kolonë e Nymfeut të Apollonisë, njëmonument unik i shek. III p.e.s., është vandalizuar dy muaj më parë dhe është rrëzuar në këtë gjendje, vetëm 200 metra larg zyrave të drejtorisë së parkut. Që prej këtij momenti, drejtuesit e Parkut të Apolonisë dhe Bylisit, jo vetëm që nuk kanë marrë asnjë masë për ta vendosur në mbrojtje të mëtejshme kolonën, por mësohet se nuk kanë njoftuar as policinë dhe mbajtur një procesverbal për dëmtimin. Për më tepër, ata nuk kanë vënë në dijeni as Institutin e Arkeologjisë për këtë dëmtim. Të gjithë këto veprime të bëjnë të dyshosh se çështja është tentuar të mbahet e fshehtë për institucionet dhe publikun. Ministria e Kulturës dhe znj. Elva Margariti duhet të përgjigjet publikisht nëse ka dijeni edhe ajo për këtë krim dhe çfarë masash do të marrë?”, ka thënë arkeologu Neritan Ceka. /Report TV/