Telegrafi

Shkatërrohen bandat turko-shqiptare të trafikut të heroinës në Spanjë, 29 të arrestuar (Video)

Të paktën 29 persona janë arrestuar në Spanjë në sajë të një operacioni anti drogë të zhvilluar në qytetet Madrid, Ourense dhe Pontevedra.

Sipas mediave vendase, të arrestuarit janë pjesë e 3 organizatave turko-shqiptare të cilat merreshin me trafikun ndërkombëtar të drogës, kryesisht të heroinës. Organizata fuste në Spanjë sasi të mëdha të heroinës, përmes vendeve të Ballkanit, Turqisë dhe Holandës.

Gjithashtu policia ka zbuluar dhe një laborator droge në Garcia Barbon Vigo, ku gjeti dhe sekuestroi 16 kilogram heroinë të pastër, 35.000 euro, një pistoletë si dhe 11 automjete të cilat përdoreshin nga trafikantët për transportin e lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë shtetas nga Spanja, Shqipëria, Iraku, Portugalia, Argjentina, Turqia dhe Paraguai, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur.

Hetimet nisën kur “Guardia Civil” zbuloi ekzistencën në Pontevedra, të një organizate drogë që dyshohet se furnizonte me heroinë gjithë krahinën e Galicias në Spanjë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe një trafikant droge nga Turqia, i shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle, pasi është dënuar me 14 vite burg për trafik narkotikësh. /bw/