Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka marrë vendim që ta shkarkojë nga posti i prorektores Teuta Pustina-Krasniqin.
Këshilli drejtues distancohet nga deklaratat individuale të Pustina Krasniqit të cilat edhe pse sipas saj të paqëllimshme kanë zgjuar reagimin e segmeneteve të shoqërisë civile dhe kërkesave për përgjegjësi nga parlamenti i UP-së.
Këshilli i UP-së mbetet i përkushtuar thellë në luftimin e të gjitha dukurive negative në Universitetin e Prishtinës duke zbatuar ligjin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Në një situatë të tillë Këshilli drejtues i Universitetit të Prishtinës me votim të fshehtë vendosi për shkarkimin nga detyra të Prorektores Teuta Pustina ndërkohë që ky këshill shpreh përkushtimin e vet për punën e saj të deritanishme.
Ky vendim i Këshillit drejtues të UP-së vjen pas një deklarate të dhënë nga vet Prorektorja Teuta Pustina-Krasniqi, rreth asaj se si studentët në Universitetit të Prishtinës duhet ta respektojnë kodin e veshjes – mesazh me specifikë për vajzat në universitet – është kuptuar dhe transmetuar si deklaratë skandaloze në disa media të Kosovës.
Teuta Pustina – Krasniqi, ushtronte detyrën e Prorektores për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës. /Telegrafi/