Telegrafi

Shkarkohet Pellegrini, Mourinho pranë nënshkrimit

Pas një mbledhjeje të bordit të Real Madridit, Florentino Perez edhe zyrtarisht ka konfirmuar në një konferencë për shtyp se bordi i Real Madridit ka shkarkuar Manuel Pellegrinin, ndërsa bëri të ditur negociatat me Jose Mourinhon.

Perez ka bërë të ditur se Real Madridi ka probleme në zgjidhjen e kontratës së Mourinhos nga Interi, ndërsa e ka konfirmuar portugezin si trajner të ri.

“Pellegrini e ka përfunduar epokën e tij te Real Madridi. Jose Mourinho do të jetë trajner i ri i Real Madridit, por kanë mbetur të zgjidhen edhe disa çështje kontraktuale të cilat burojnë nga situata, e cila është krijuar nga pala tjetër (Inter), të cilat do t’i zgjidhim së shpejti. Mourinho do të vijë në Madrid me stafin e tij”.

“Ne i jemi mirënjohës Pellegrinit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar për klubin, dhe gjithë atë që ka bërë për ne, por është koha që t’i japim shtytje projektit tonë”.

“Bordi ka vendosur të shkarkojë Manuel Pellegrinin nga posti i trajnerit dhe të konfirmojë ardhjen e portugezit Jose Mourinho”. deklaroi Perez.

Pellegrini ishte në mes të kontratës dyvjeçare me Los Blancos, mirëpo gjiganti spanjoll e dënoi atë për mossuksesin e arritur në sezonin e parë në Bernabeu. Edhe pse shpenzoi 250 milionë euro duke sjellë emra të tillë, si Cristiano Ronaldo, Kaka, Karim Benzema dhe Xabi Alonso, Reali kaloi një sezon të dështuar pa asnjë trofe. /Telegrafi/